Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 12 vjet burgim për Saimir Çullhajn, i akuzuar për trafik ndërkombëtar armësh dhe municionesh.
Prokurori Behar Dibra lexoi ditën e djeshme pretendimet e Prokurorisë për shtetasin në fjalë, i cili dërgonte armë në Britani përmes postës. Rasti në fjalë u zbulua në gusht të vitit të kaluar, ku Çullhaj dërgoi me postë 3 automatikë kallashnikovë në Britani, duke i ndarë në copëza të montueshme.
I pandehuri e ka pranuar se i ka dërguar pakot në fjalë ku u gjetën pjesët e armëve, por ngul këmbë se nuk ka pasur dijeni se çfarë ishin. Prokuroria zbuloi edhe skemën e përgatitur për realizimin e trafikimit të armëve, ndërsa shtoi se hetimet për rastin në fjalë vazhdojnë për të zbardhur edhe qëllimin, për të cilin do të trafikoheshin dhe personat e lidhur. Kujtojmë se Çullhaj është arrestuar në 26 gusht, ndërsa dy ditë para arrestimit, më 24 gusht, në Rinas u sekuestrua një dërgesë me destinacion Britaninë, pasi skanerët pikasën pjesët e armëve.
Sipas Prokurorisë, është identifikuar se pakoja është nisur nga një shërbim postar privat në Durrës. Pasi oficerët e Policisë Gjyqësore kanë identifikuar pikën e dërgimit, kanë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe kanë pyetur punonjësit. Si rezultat, është identifikuar edhe shtetasi Saimir Çullhaj që ka postuar dërgesat. Ndërkohë, si prova që vërtetojnë implikimin e të pandehurit në këtë rast të trafikimit të armëve, por edhe trafikimit të lëndëve narkotike, Prokuroria tha se përpos dëshmive të punonjësve, kamerave të sigurisë, ka të dhëna të nxjerra nga këqyrja e telefonit të Çullhajt dhe disa përgjime telefonike.
Ndërkohë, për lëndën narkotike, Saimir Çullhaj ka pretenduar se e kishte për përdorim vetjak, por, sipas organit të akuzës, sasia e gjetur është e konsiderueshme dhe për këtë, justifikimi i të pandehurit nuk është i besueshëm.
HETIMI
Në momentin e postimit të pakove me armët e tipit automatik, Çullhaj dhe personi tjetër i shpallur në kërkim, Neritan Faria, kanë thënë se po postonin pjesë nga një makinë larëse, që ishte blerë sipas tyre në Britani dhe kishte pësuar defekt brenda garancisë. Ndërkohë, kanë qenë punonjësit që kanë bërë një përshkrim fizik të personave në fjalë, dhe kamerat e sigurisë që kanë bërë të mundur identifikimin e tyre.
Hetuesit kanë arritur të gjejnë emrat pasi kanë identifikuar numrin e targës së makinës, me të cilën kishin shkuar te DHL. Ndërkohë, pas këtyre veprimeve, është bërë këqyrja e telefonit të Saimir Çullhajt, ku shihen biseda me Neritan Farinë, në lidhje me dërgimin e pakove për në Britani.
Sipas Prokurorit të çështjes, Behar Dibra, Neritan Faria, i cili është ende në kërkim, ka kontakte të shumta me persona në Britani. Ndërkohë, dje, prokurori i çështjes nxori në skenë edhe dy personazhe të tjerë, të cilët janë konsideruar si pritësit dhe organizatorët, por nuk ka prova që i implikojnë ata drejtpërdrejt në këtë histori dhe për këtë, nuk janë marrë masa ndaj tyre.



