Prokuroria e Shkodrës ka në duar pamjet filmike të kamerave të sigurisë që kanë fiksuar vrasjen e Fatos Ferracakut në Shkodër, në 14 Nëntor, si dhe plagosjen e mikut të tij, Fatmir Mehaj.
Burime zyrtare të prokurorisë janë shprehur për Vizion Plus se ne pamjet filmike shihet një motor i bardhë, në të cilën ndodhen dy persona, me skafandra në kokë.
Personi i ulur mbrapa, i veshur me xhup të kuq, pantallona të zeza dhe skafandër të bardhë, zbret nga motorri dhe pasi i afrohet objektivit hap zjarr, ndërsa personi tjetër, me skafandër në kokë dhe rroba të zeza qëndron mbi motor në pritje të autorit të vrasjes.
Por, pavarësisht këqyrjes që një grup i posaçëm hetimor i ka bërë pamjeve filmike, nuk eshte bërë ende i mundur identifikimi i vrasesve. Vetëm pak minuta pasi ndodhi ngjarja, motorri i dyshuar i përdorur në ngjarje, u gjet i djegur plotësisht në lagjen “Guerile”. Mjeti është dërghuar në laboratoor ku po kryhet ekzaminimi teknik që mund të nxjerrë ndonjë të dhënë të vlefshme për hetimin.
Fatos Ferracaku, u qëllua me breshëri plumbash, ndërsa i plagosur mbeti edhe miku i tij, Fatmir Mehaj. Pas ekzaminimit, rezultoi se Ferracaku kishte 7 plagë hyrëse-dalëse në kokë, trup e në krahë. Kurse Mehaj kishte marrë dy plagë në kofshën e djathtë.
Policia shoqëroi për të marrë në pyetje 10 persona. Një prej deshmitarëve okularë tha se pa Fatos Ferracakun te rrëzuar në tokë dhe autorin që teksa po largohej në drejtim të kryqëzimit të Rusit ka qëlluar përsëri në ajër. Nisur nga dinamika e ngjarjes, hetuesit kanë dyshime se autorët janë vrasës me pagesë.
Pista kryesore që po hetohet lidhet me dyshimet se Fatos Ferracaku ka pasur djeni për konfliktet e kushëririt të tij, Arjan Ferracaku, ky i fundit u vra po në Shkodër më 1 Shtator të këtij viti.


