Shkrimtari Ismail Kadare ka prezantuar ditën e sotme librin e tij më të fundit në Panairin e Librit. “Kur sunduesit grinden” është titulli i librit të sapopublikuar nga shtëpia botuese “Onufri”. Në prezantimin e librit ishte i pranishëm edhe vetë shkrimtari dhe bashkëshortja e tij, Helena, ndërsa interesi i lexuesve ka qenë i madh, të cilat kanë marrë dhe autografe nga “kolosi i letrave shqipe”.
Sipas bashkëshortes së Kadaresë, ky libër, ka qenë më i vështiri që ka shkruar shkrimtari i madh.
Ajo ka thënë për mediat se Ismail Kadare është i emocionuar, ndërsa sa i përket librit, thotë se flet për marrëdhëniet që shkrimtarët shqiptarë kanë patur me diktatorin.
“Libri më i veshtirë që ka shkruar Kadare. Ismail Kadare eshte i emocionuar për interesin e lartë të njerëzve. Libri, në mënyre indirekte lidhet edhe me jetën e Kadaresë. Romani i fundit flet edhe për marrëdhëniet që shkrimtarët shqiptarë kanë patur me diktatorin”, ka thënë ndër të tjera Helena Kadare.
Kadare është shkrimtari njohur shqiptar, veprat e të cilit kanë depërtuar edhe jashtë vendit duke u përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës.
Sot është dita e tretë e Panairit të Librit, i cili çeli siparin e aktiviteteve më 14 nëntor dhe do jetë i hapur për të gjithë dashamirësit e librit deri më 18 nëntor.


