Mbi 40 persona janë shoqëruar në komisariatin e Shkodrës për ekzekutimin e Fatos Ferracakut, por ende nuk ka një të dyshuar. Sipas grupit hetimor vrasja është kryer nga profesionistë dhe motoçikleta e përdorur prej tyre rezulton e paregjistruar në sistem. Një ditë pas ekzekutimit të 40-vjeçarit në drejtorinë e Policisë së Shkodrës shkuan edhe zyrtarë të lartë të policisë së Shtetit.
ABC News ka mësuar se atentatorët ishin dy persona me skafanda në kok dhe udhëtonin me një motoçikletë ngjyrë të zezë e llojit T Max. Njëri prej tyre ka zbritur nga motori dhe ka qëlluar me armë nga një distancë rreth 2 metra larg Ferracakut .
Ky i fundit po bisedonte me kunatin e tij Fatmir Mehaj, të dy tregtarë peshku. 40 vjeçari është qëlluar me armë zjarri disa herë në kokë dhe në tentativë për të ndaluar autorët mbeti i plagosur në këmbë kunati i viktimës. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Çdo gjë ndodhi shumë shpejt dhe vrasësit u larguan në drejtim të zonës së Bypassit të Shkodrës ku edhe dogjën motorin. Ekzekutimi i Ferracakut mësohet se është kryer nga një person me gjatësi dhe peshë mesatare. Për motoçikletën nuk ka të dhëna pasi nuk rezulton e regjistruar në sistem.
Nuk dihet ende nëse vrasja e Fatos Ferracakut është kryer nga të njëjtit persona që ekzekutuan kushëririn e tij Arjan Ferracaku më 1 shtator të këtij viti. Atentati ndaj biznesmenit mbetet ende enigmë.
Megjithëse në komisariat u shoqëruan shumë persona ende nuk ka një të dyshuar për krimin. Një ditë pas vrasjes në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës shkoi edhe Drejtori për Rendin dhe Sigurinë publike Gjovalin Loka dhe një Prokuror i Krimeve të Rënda.


