Siç thuhet në njoftim, kryeministri Haradinaj, njëkohësisht, e njoftoi delegacionin gjerman për angazhimin e Qeverisë në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, si dhe progresin e Kosovës në rrugën euroatlantike.
“Në kohëra të vështira, përkrahja gjermane ishte vendimtare për përpjekjet e paqes dhe shtetndërtimit në Kosovë, dhe sot Gjermania vazhdon të jetë përkrahësja më e madhe e Kosovës euroatlantike, e sigurisë dhe stabilitetit të saj”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo është dëshmuar edhe me inaugurimin e parkut inovativ dhe trajnues në Prizren, hapësirën që deri dje ishte e kampit ushtarak të kontingjentit gjerman të KFOR-it, si një mundësi e mirë për rritjen e zhvillimit ekonomik.
Po ashtu në njoftim thuhet se në takim është biseduar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, rolin e Gjermanisë në procesin e dialogut, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Ndërkaq, të pranishëm ishin edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, si dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.


