Ndoshta do ta kishte lutur që shiu dhe rrebeshi të kishte nisur qysh më parë, që ai, kreu i Partisë Demokratike, të zbriste me këmbë në “ujë”, i veshur me çizme llastiku, për t’ju gjendur pranë familjeve të përmbytura në Kamzën e Mziut, apo edhe në Fushë-Krujë.
Lajmi dhe krejt skena e “vizitës” ishte sikur ta kishte porositur Luli dhe Mziu, pasi pranë një gardhi të një familje fatkeqe, ata rastisën edhe me një lopë të mbytur nga vërshimi i ujit.
“Qenka bërë nami këtu, duhet të merrni masa urgjente”- ju drejtua Luli kryetar Mziut. Diku tjetër ai dha edhe disa porosi të tjera për “tju gjendur pranë me pako ushqimesh dhe batanijesh çdo familje të përmbytur”.
Natyrisht që në raste të tilla edhe opozita do të vishet me çizme llastiku, pavarsisht se disa prej oborrtarëve të Lulit, nuk dinin se ku binte Bovilla ditën e kiametit. Sinqerisht do ta besoja se ishte e sinqertë vizita e Lulit në Kamzën e përmbytur, në qoftëse nuk do të kishte Mziun në krah, por në qoftëse ai do të kishte marrë me vehte edhe deputetët e listës, të rinjtë e PD, ata që Tiranën e njohin deri tek sheshi “Shqiponja”.
Por Luli kësaj here vendosi të shkonte vetëm, dhe të shoqërohej nga Mziu i Kamzës, që dy–tre ditë më parë, kishte dhënë urdhër të largoheshin me dhunë nga oborri godinës së bashkisë dhjetra protestues hallexhinj.
Kësaj here zoti Basha, ka zbritur me këmbët në ujë, si një lider i një rruge të re politike ? Kjo për faktin se lotët e opozitës për të përmbyturit, kanë vite që “rrjedhin” çurk qysh nga 2005, gjithmonë kur vjen dimri dhe stina e shirave, por asnjëherë prej tyre nuk është pranuar qoftë edhe njëherë të vetme bashkëfajësia, në katrahurën që u ndodh shqipëtarëve çdo vit, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.
Tashmë është e qartë, se çfarë rruge po ndjek Lulzim Basha por edhe ideologët amatorë të opozitës që e rrethojnë, rrugë e cila ka nisur që prej instalimit të çadrës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ajo duket si një rrugë e re politike, që thuajse nuk ka lidhje me PD-në klasike, me strukturën organizative të së djathtës shqiptare në 27 vjet pluralizëm.
Por gjithsesi rruga e kësaj opozite duket e pakrye, e padeshifruar politikisht, dhe vështirë se do të jetë e besueshme deri në bazë. Dhe në fakt kjo është dukur qysh në 2015, kur Lulzim Basha kishte nisur të “programonte” një rrugëtim të ri politik për vehten e tij, për të hyrë në terrenin e vështirë “malor” si lider, dhe jo si nxënës.
Dhe fakti është se Luli, të krijonte fillimisht përshtypjen se kishte nisur të krijonte frontin “e ideve dhe programeve , interesave, përfaqësimit dhe konceptit politik”, por shumë shpejt ai do të zhgënjente çdo njeri që besonte tek fjala e tij.
De Goli i madh ka thënë se “lideri duhet të synojë lart, të shikojë larg, të gjykojë larg”, pasi kështu ai do të vendosë veten përtej njerëzve të zakonshëm të cilët debatojnë më ngushtë se ata.
Në qoftë se ka një njeri tek (PD) opozita që nuk mund ta bëjë këtë gjë për kushtet aktuale që po kalon kjo parti, ky është vetëm Basha. Kjo pasi në realizimin e këtij misioni që ka sot opozita në Shqipëri, Basha ka gabuar që në procesin
e përzgjedhjes së ekipit të tij të ri, me të cilin hyri në zgjedhje, (dhe pasi humbi thellë) duke u etiketuar si përçarës e përjashtues nga garda dhe kontribuesit e vjetër të partisë.
Kryetari i PD mjafton që të kishte parasysh ato çfarë kanë thënë e shkruar politikanët që kanë bërë histori si p.sh. ish-kryeministri britanik zoti Bler i cili ka thënë se “mendoj se rruga e një politikani kalon nga përpjekja për të kënaqur të gjithë njerëzit, gjatë gjithë kohës, për tu formuar si në një lider politik, që në fund e kupton se detyra e tij është të marrë vendime për ti bashkuar njerëzit”.
Ndoshta zoti Basha ka menduar, se ditët e stuhisë qiellore duhej të ishin pikënisja e një rrugëtimi të ri politik, pasi është e padiskutueshme se ai dhe deputetët e tij (jo të rinjtë) patjetër që do të merren gjatë me “përmbytjet, pasojat, dëmet e shkaktuara, bagëtitë e ngordhura, dëmshpërblimet e qeverisë, pakot me ndihma të bashkiakëve të PD”, duke harruar se në gjithë këtë situatë dramatike, edhe ai (opozita e sotme) është mëkatar i (pa) penduar.