Mesfushori i Juventusit, Blaise Matuidi, thotë se fitorja ndaj Napolit ishte një mesazh i qartë ndaj rivalëve për titullin e Serie A.
Me golin e Gonzalo Higuainit, Zonja e Vjetër ia shkaktoi humbjen e parë skuadrës së Maurizio Sarrit dhe iu afrua për vetëm një pikë, ndërsa tash e ndjek Interin me dy pikë, pasi Nerazzurrët e morën kreun e tabelës të dielën.
Duke folur për Sky Sport, futbollisti francez e ka lëvduar fitoren e rëndësishme të Bianconerëve duke thënë se deri në fund të sezonit ka edhe shumë ndeshje.
“Nuk ishte një ndeshje vendimtare, por padyshim se ishte një fitore e rëndësishme”.
“Ne punojmë çdo ditë në mënyrë që të arrijmë maksimumin. Qëllimi jonë është të fitojmë, ndërsa sezoni është i gjatë”, ka deklaruar Matuidi.

Mesfushori i Juves ka folur edhe për ndeshjen vendimtare të Ligës së Kampionëve kundër Olympiacosit që zhvillohet në mesjavë.
Të zgjedhurit e Massimiliano Allegrit duhet të fitojnë kundër ekipit grek, në mënyrë që të jenë qind për qind të sigurt për të vazhduar në fazën tjetër.
“Duhet t’i kemi parasysh rreziqet, prandaj duhet të hyjmë në fushë për të fituar”, është shprehur Matuidi.



