Instituti i Statistikave ka publikuar sot statistikat e krimeve për 9 muajt e parë të vitit 2018, nga ku rezulton se situata e sigurisë në vend është më e lartë se një vit më parë. Numri i rasteve të veprave penale ka shënuar një rënie me 3,7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më konkretisht për veprën penale “vrasje mbetur në tentativë”, janë evidentuar 34 vepra ose thënë ndryshe 5 më pak, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017.
Sipas të dhënave ulje kanë shënuar edhe rastet e veprave penale të rënda kundër pasurisë, ku përfshihen vjedhjet me dhunë, ato me armë dhe vjedhjet me pasojë vdekjen. Kështu për 9 muajt e parë të vitit 2018 janë shënuar 29 raste, duke shënuar një rënie me 7 vepra, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Po kështu në këtë periudhë janë evidentuar 73 vjedhje të automjeteve, me një rënie prej 28,4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017.
Ndërkohë policia ka rritur shkallën e zbulueshmërisë për rastet e trafikimit të drogës. Kështu për 9 muajt e parë të 2018-ës janë evidentuar 641 vepra penale në fushën e drogës, duke shënuar një rritje me 4,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.
INSTAT: Në 2018, 13,0 % më pak të ndaluar për shkelje të qarkullimit rrugor
Rritja e kontrolleve dhe shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin duket se kanë çuar në uljen e numrit të shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugore. Sipas statistikave të publikuara sot nga INSTAT, për 9 muajt e parë të vitit 2018 numri i veprës penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, është 596, duke shënuar një rënie me 13,0 %, krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Prej disa kohësh Policia Rrugore ka nisur një aksion në shkallë vendi, për sensibilizimin e gjithë përdoruesve të rrugës për respektimin e rregullave të Kodit Rrugor, si dhe në evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor.


