Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako nuk do të japë dorëheqjen nëse Prokuroria ngre akuzë ndaj tij në kuadër të hetimeve për dosjen 339.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Dako u pyet edhe nëse do të kandidojë sërish në Qershor 2019 për kryetar të Bashkisë së Durrësit. Kryebashkiaku deklaroi se nuk ndihet i lodhur për të rikandiduar, megjithëse këtë e vendosin strukturat e Partisë Socialiste. Megjithatë, ai u shpreh i gatshëm për të rikandiduar, por theksoi se mund të jetë edhe në ndonjë pozicion tjetër politik.
“Do vazhdoj të jem kryetar, pse do jap dorëheqjen? Akuza nuk është asnjë gjë. Nëse Gjykata të fut në burg, ti automatikisht ikën nga kryetar bashkie. Mund ta shikoj veten edhe në ndonjë pozicion tjetër. Por nuk di zgjedhje, të vazhdoj të jem kryetar bashkie apo ndonjë gjë tjetër. Unë përsëri do të drejtoj fushatën në të tre Bashkitë e Durrësit, Krujë, Shijak dhe Durrës dhe të garantoj që të treja janë të fituara”, deklaroi kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako.


