Të gjithë ata që nuk i kanë plotësuar vitet e punës me kontribute për të përfituar pension, tashmë kanë një zgjidhje. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën thirrje jo vetëm për të moshuarit që nuk i kanë plotësuar vitet e punës, por edhe për ata që dëshirojnë të marrin një pension të plotë që të bëjnë sigurim vullnetar. “Qytetarë! Instituti i Sigurimeve Shoqërore ju ofron sigurimin shoqëror vullnetar, si një mundësi më shumë për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar”, – thekson ISSH. Ndërkohë, kjo e fundit bën me dije për të gjithë të interesuarit se pensioni i plotë i pleqërisë përfitohet me 36 vite e 4 muaj punë të siguruar, ndërsa pensioni i pjesshëm kërkon minimalisht 15 vite pune me sigurime. Për të përfituar pension nga shteti shqiptar, emigrantët duhet të paguajnë një pagesë kontributi prej 5184 lekësh në muaj. “Nëse do të parapaguani në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: 6% mbi shumën për një pagesë vjetore, 3% mbi shumën për një pagesë 6 mujore, dhe 1.5% mbi shumën për një pagesë 3-mujore. Ju mund të siguroheni edhe për vitet e kaluara dhe mund të futeni në këtë skemë pa qenë të siguruar më parë. Kontribuoni për të kaluarën dhe të tashmen, t’ju sigurojmë të ardhmen!”, – bën thirrje Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Por, nëpërmjet sigurimit vullnetar, mund të përfitojnë jo vetëm emigrantët shqiptarë, por të gjithë qytetarët që jetojnë në Shqipëri e dëshirojnë të kenë një masë pensioni më të lartë se ai që është paracaktuar më parë.
Kriteret
Sigurim vullnetar për periudha të kaluara
Sigurimin vullnetar për periudhat e kaluara mund ta paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar si dhe shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pasuniversitare është me pagesë. Ndërkohë ky sigurim për periudhat e kaluara mund të bëhet edhe nga shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar si dhe personat që kanë lënë shtetësinë. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa. Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 5 184 lekë për një muaj sigurim vullnetar, por në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.


