Pas miratimit të ligjit për krijimin e ushtrisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se të gjithë ata që do të nxisin destabilitet, do të përballen me pasojat e aktit të tyre.
Pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj ka thënë se Kosova do të bëhet me Ushtri dhe do të jetë pjesë e NATO-s.
“NATO është një vendimmarrës serioz. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Jemi në bashkëpunim edhe me vendet tjera të rëndësishme të NATO-s. Procesi i mandatimit të Ushtrisë është me peshë. Dallimi është vetëm ndërrimi i emrit. Mos keni dilema. Jemi thellë të bindur, 17 institucione të sigurisë së Kosovës ishin pjesë e një organizimi të KFOR-it që isha dje. Ne jemi pjesë e NATO-s. Edhe në lexim të dytë do të kalojë. Ne do të bëhemi me ushtri. Ideja e korrigjimit ka vdekur,” ka thënë Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës është shprehur më tutje se “vetëm ata që e përkrahin stabilitetin kanë me dalë të fituar. Nëse dikush nxit ndonjë incident, me siguri ka me marr ndonjë faturë në fund.”


