Kryeministrja norvegjeze, Erna Solberg, u kërkoi ndjesë të gjitha vajzave që janë trajtuar mizorisht për shkak se kanë patur gjatë Luftës së Dytë Botërore marrëdhënie me ushtarët gjermanë.
“Autoritetet norvegjeze shkelën rregullin kryesor, sipas të cilit askush nuk mund të dënohet pa proces gjyqësor. Për shumicën e tyre bëhej fjalë vetëm për dashuri adoleshentesh, për disa dashuria e jetës me një ushtar armik apo një flirt i pafajshëm, që i la damkën përjetësisht”, theksoi Solberg, raporton BBC.
Norvegjia u pushtua nga trupat naziste në prill 1940. Llogaritet se rreth 50 000 norvegjeze patën raporte intime me trupat gjermane, të nxitur edhe nga shefi i tyre, Heinrich Himmler, i cili shpresonte në përmirësimin e racës ariane.
Ato u pagëzuan si ”vajzat gjermane” dhe më pas u vunë nën shënjestër me akuzën për tradhti ndaj atdheut.
Vajzat norvegjeze u privuan nga të drejtat civile, u ndaluan dhe madje edhe u dëbuan nga Norvegjia drejt Gjermanisë, sëbashku me fëmijët e tyre.
Shumë pak ”vajza gjermane” janë gjallë për të pranuar ndjesën e qeverisë norvegjeze, por shumë janë fëmijët që ato kanë lënë.
Mendohet se nga këto marrëdhënie kanë lindur 12 000 fëmijë.
Një grup i këtyre fëmijëve apeloi në vitin 2017 në Gjykatën Europiane për Të Drejtat e Njeriut për të kërkuar drejtësi, por çështja e tyre u konsiderua e papranueshme për shkak të kohës së gjatë të kaluar.


