Kryeministri Edi Rama ka rithënë këtë të enjte në seancën e zhvilluar parlamentare se nuk do të ketë më pika bastesh, duke filluar që nga data 1 janar.
Rama është shprehur më tej se 68% e lojtarëve nëpër pikat e kazinove elektronike dhe pikat e basteve kanë filluar të luajnë që nga mosha 10-vjeçare, një moshë që sipas Ramës është mjaft e rëndësishme për formimin e individualitetit.
Ai e argumenton vendimin e qeverisë duke përmendur edhe pasojat që sjell aktiviteti i lojtarëve nëpër lojrat e fatit, si: divorcet, dhuna familjare, si dhe vetëvrasje. Sipas Ramës, një në katër lojtarë ka pranuar se ka tentuar të vetëvritet.
Kryeministri i vendit ritheksoi se kazinotë do të gjenden vetëm nëpër hotele me pesë yje, të cilat ndodhen në zona të caktuara turistike.
“I kërkoj Ballës dhe Ruçit të përshpejtojnë procedurën dhe sa më shpejt”, ka thënë Rama, i cili vazhdon të shprehet se “kazinotë janë ngritur nga llumi”.


