Ai mund ta ketë vënë “Amerikën të Parën”, por mesa duket ka ide të tjera kur bëhet fjalë për bashkëshorten e tij.
Presidenti amerikan, Donald Trump, u kap në kamera teksa, ashtu si edhe herët e tjera, mbrohej nga shiu me një çadër, ndërsa Zonjën e Parë e priste në shi.
Në vend që të tregohej i kujdesshëm që bashkëshortja e tij të mos bëhej qull, Trump e lëshoi atë dhe u nis, bashkë me çadrën, për t’iu drejtuar repoterëve të shumtë që po prisnin pranë Shtëpisë së Bardhë që ta filmonin teksa nisej me helikopterin Marine One.
Devijimi i tij e zuri Melanian në befasi dhe ndërkohë që ai “argëtohej” me reporterët ajo qëndronte në shi duke e pritur me një buzëqeshje.
Çifti po përgatitej që të shkonte për në Florida-n e rrënuar nga uragani Michael për të vlerësuar dëmet e shkaktuara. Ndërkohë, dihet tashmë që presidenti amerikan nuk njihet për ndonjë xhentilesë të madhe. Melania nuk është femra e parë që ai lë në shi ndërsa vetë kujdeset që të mos e ndajë çadrën.


