Në studion e “Top Talk”, avokati Spartak Ngjela deklaroi se figura më e fortë brenda radhëve të PS, nuk është kryeministri Rama, por ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
“Figura më e fortë në PS është Fatmir Xhafaj. Është i fortë pa u bërë kryeministër. Ka mbrojtjen e ndërkombëtarëve, të amerikanëve”, u shpreh Ngjela.
Më tej, ai shton se edhe Rama ka qenë i implikuar kur doli “Babalja”, duke tentuar një krizë me Xhafajn, por u detyruar shpejt t’i dalë në mbrojtje.
“Në momentet kur doli “Babalja” Rama krijoi krizën me Xhafën, e pastaj doli dhe foli se ka qenë zëri i manipuluar. E kur ka thënë që ka qenë zëri i manipuluar, jam i bindur që ia ka kërkuar FBI, sepse analizën e spektrale të zërit e bën për 10 minuta”, u shpreh Ngjela.
Për avokatin Ngjela nuk është problem që vëllai i Xhafajt ndodhet në burg, duke dhënë shembull, se edhe i vëllai Klinton ka qenë në burg për drogë.
E i “ngacmuar” nga gazetari Denis Dyrnjaja, se nëse për të kjo mund të jetë normale, por jo për shqiptarët, Ngjela iu përgjigj: “Shqiptarët të mësohen, nuk ka luftë klasash.
Rama-Basha marrëveshje për pushtetin
Për avokatin Spartak Ngjela formimi i BKH dhe SPAK do të sjellë ndryshim rrënjësor në arenën politike. I ftuar në “Top Talk”, ai shprehet se të dyja palët janë të rrezikuara, e sipas tij nga mazhoranca ai që rrezikon më shumë është kryeministri Edi Rama.
“Më i rrezikuari nga mazhoranca është Rama, të tjerët nuk i shoh edhe aq. Sepse ai nuk ka stabilitet në qëndrimin pro-amerikan”, u shpreh Ngjela duke shtuar se kjo nuk është çështje politike, por vjen në funksion të reformës në drejtësi.
I pyetur nga Denis Dyrnjaja, se çfarë po bën Rama sipas këndvështrimit të tij, Ngjela u përgjigj: “Mezi e prishi marrëveshjen me Bashën. Atë ia kërkuan amerikanët”, duke ngritur edhe dy pyetje, për deklaratën e Ramës se “Basha i ka kërkuar të ndajë pushtetin në tryezë”, përgjigjet e së cilave, sipas tij, tregojnë ndërhyrjen e një force madhore.
“Marrëveshjen e ka kërkuar Rama, jo Basha. Por nëse e ka kërkuar ai, pse e prishi marrëveshjen. E thjeshtë ia ka kërkuar një forcë madhore. Pyetini Ramën kur e ka thënë dhe ku e gjeti kurajon që e ka kërkuar”.
Më tej Ngjela shton: “Kjo ka qenë marrëveshja në 5 orëshin e famshëm. Këtë e prishi Rama, me vullnetin e tij, apo me kërkesë ultimative të amerikanëve, kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është që e ka prishur”, tha Ngjela.


