Javën e shkuar, Kanye West vizitoi Shtëpinë e Bardhë dhe Kayned-in.
Reperi problematik, i cili është njëkohësisht mbështetës i Trumpit, i ftuar në Shtëpinë e Bardhë me pretekstin për të diskutuar çështje të rëndësishme, si reforma e dënimeve, u vendos në qendër të vëmendjes nga vet Trump.
Ky i fundit i ftoi mediat në Zyrën Ovale për të qenë dëshmitare të një ‘’çirrjeje” të papërshtatshme të këngëtarit që gati gati tingëlloi si një thirrje për ndihmë.
Ishte sikurse dikush mund ta kishte imagjinuar: tragjike dhe e trishtë. Fokusi u vendos kryesisht në spektaklin e Kanye-t dhe aspak në mënyrën sesi Trump u përpoq që ta përdorte dhe shfrytëzonte atë moment.
E pikërisht në sajë të kësaj strategjie të ndjekur nga ana e presidentit amerikan, na jep plotësisht të drejtë që të ngrejmë pikëpyetje rreth shqetësimit të prodhuar nga Trump për të ardhmen e sistemit të drejtësisë, e cila po shfaqet si një “gëlltitëse” e personave me ngjyrë.
Përpara se të realizohej ky takim, Trump thirri në Shtëpinë e Bardhë rrjetin propagandistik dhe foli me skuadrën e tij “Fox and Friends”.
“Ka njerëz nëpër burgje për një kohë relativisht të gjatë, sikurse është edhe rasti i Mrs.Johnson. Ajo kishte edhe 22 vjet për të kryer si pjesë të dënimit të saj. Është një grua e jashtëzakonshme. Nuk e kuptoj se si mund të ketë ndodhur diçka e tillë, por më shumë gjasë për shkak të një periudhe dhe moshe të ndryshme. E megjithatë, them se kemi nevojë për reforma. Dhe kjo nuk nënkupton se do të jetë e lehtë. Ne do t’i bëjmë disa reforma më të ashpra, sidomos kur vjen fjala për trafikun e drogës. Duhet të ketë me patjetër një reformë, sepse situata nuk është e mirë. Realiteti aktual është shumë i padrejtë për afrikano-amerikanët. Është shumë e padrejtë për të gjithë”, iu drejtua Trump rrjetit të tij propagandistik.
Ai ishte duke iu referuar rastit të Alice Marie Johnson, një gruaje të zezë 63-vjeçare, e cila u mbyll që nga 1996 në burgun federal të Alabamës nën akuzat për shpërndarje droge dhe pastrim parash.
Thënë ndryshe, shefi i Shtëpisë së Bardhë iu referua faljes që i bëri këtij rasti, pas lutjeve të Kim Kardashian-it, gruas së Kanye-t.


