Seanca plenare për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni ka filluar me gjysmë ore vonesë.
Fjalim në parlament kanë mbajtur kryeministri Zoran Zaev dhe deputeti i opozitës, Ilija Dimovski.
Zaev i ftoi edhe njëherë deputetët që të votojnë për ndryshimet kushtetuese.
Me qëllimin që opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE të votojë ndryshimet kushtetuese, kryeministri maqedonas ofroi në mënyrë indirekte amnisti për terrorin e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.
“Erdhi koha që t’u themi “stop” ndarjeve, ja ku është mundësia që të falemi”, tha Zaev.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, kërkoi që pika e rendit të ditës për ndryshimet kushtetuese të hiqet nga rendi i ditës sepse, siç tha ai, Kuvendi nuk ka legjitimitet që zgjedhjet dhe referendumi të hyjë në procedurë të ndryshimeve kushtetuese.
“Në përbërjen e Kuvendit asnjë parti politike ose deputet nuk ka dhënë premtim për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues. Koalicioni i VMRO-DPMNE-së para fushatës zgjedhore shkroi se nuk do ta lejojë këtë, ndërsa Koalicioni i LSDM-së premtoi se nuk ka ndryshim të kushtetutës. Ky Kuvend nuk ka legjitimitet zgjedhor që të hyjë në procedurë. Për ndryshimin e Kushtetutës nuk ekziston referendum konsultativ, ndërsa edhe përkundër kësaj vendimi i miratuar në referendum është i obliguar”, tha Dimovski.
Teksa ndërkombëtarët bëjnë thirrje që Maqedonia të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme, jo-zyrtarisht u tha se 80 votat për ndryshimet kushtetuese janë siguruar.
Sa i takon modeklarimit të qëndrimit të disa deputetëve të tjerë, kryeministri Zaev tha se është produkt i kërcënimeve.


