Në Ditën Ndërkombëtare të Ecjes, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, ka shpërndarë në rrjetin social “Facebook” disa fotografi ku shfaqet panorama e mrekullueshme e Shtegut të Çezarit.
Ai shkruan përmbi fotove se ky shteg natyror është një tregues mjaft i mirë i periudhës antike të vendit.
“Shtegu i Çezarit, të cilin e promovojmë sot në një ecje të bukur në natyrë, lidh Parkun Kombëtar Llogara, Parkun Natyror Karaburun dhe Monumentin e Natyrës Delta e Përroit të Palasës. Ky shteg natyror risjell një nga ngjarjet historike më të përmendura për periudhën antike, atë të zbarkimit të ushtrisë së Çezarit, në Palasë, për të vazhduar më tej drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë dhe mbërritur në qytetin antik të Orikut ku dhe zhvilloi një nga betejat me Pompeun”, shkruan Klosi.
Institucionet përkatëse tanimë janë angazhuar në markimin e shtigjeve të vendit, për ta bërë udhëtimin e turistëve vendas dhe të huaj më komod dhe të sigurtë.


