Partia Demokratike ka publikuar të tjera përgjime të Prokurorisë për shtetasin Fredi Alizoti, për të vërtetuar se ai është një aktor i stisur i qeverisë për të mbyllur skandalin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, publikoi përgjime të bisedave telefonike të Alizotit, personit që pranon se në audiopërgjimin e Albert Veliut (Babales), luan rolin e Agron Xhafajt.
Alibeaj thekson se nga përgjimet e Prokurorisë del qartë se aktori i Edi Ramës është vetofruar në Prokurori në orën 8:00 të darkës, ndërkohë që ai është kapur, duke pohuar se ka bërë një muhabet dhe po pret të takojë Taulantin nga Librazhdi, që i ka thënë “hap gojën sa do”. “Në datën 1 qershor 2018, ditën kur Edi Rama pretendon se aktori i tij, Fredi Alizoti, është vetofruar në Prokurori në orën 8:00 të darkës, ai është kapur duke pohuar se ka bërë një muhabet dhe po pret të takojë Taulantin nga Librazhdi, që i ka thënë “hap gojën sa do”.
Menjëherë pas kësaj, ai telefonohet nga Drejtori i Policisë së Qarkut Fier, me numër telefoni 0694110316, dhe lë takim te QTU në Fier.
Në orën 17:13 minuta, Fredi Alizoti i drejtohet Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier, me fjalët: “Do ta zgjidhësh ti këtë punë apo ta zgjidhë shefi lart?” Vetëm 7 minuta më vonë, aktori i Edi Ramës, nga zona e QTU Fier, vendi ku është lënë takimi me vartësin e Fatmir Xhafës, telefonon dikë dhe i drejtohet me fjalët: “Mora një pako të mirë”.
Më 7 qershor 2018, aktori i vetëshpallur nga Edi Rama telefonohet përsëri, personalisht nga drejtori i Policisë, Qarku Fier, i cili e pyet se çfarë po bën dhe ku ndodhet dhe Alizoti i përgjigjet “lart, ku më latë”.
Alizoti i kërkon drejtorit të Policisë Fier që të takojë “shefin e madh” me patjetër atë ditë, duke e garantuar se “nuk ka më kthim mbrapa, ato që janë bërë nuk kthehen më mbrapa”. Prej 5 muajve, Fatmir Xhafaj ka braktisur detyrën dhe është angazhuar drejtpërdrejt në një skenar mafioz të mbrojtjes së trafikantit të drogës Agron Xhafaj”, deklaroi Alibeaj.
Deputeti i PD i kërkoi Ramës dhe Xhafës shpjegime në lidhje me ‘pakon’ që Fredi Alizoti thotë se ka marrë dhe kush e ka dhënë atë? Kush është Taulanti nga Librazhdi, që i ka thënë Fredi Alizotit “hap gojën sa do”? Çfarë shërbimi ka ofruar Fredi Alizoti dhe sa është paguar për këtë?
(BISEDA 1) DATA 01/06/2018 ORA-16:52:23
PËRMBAJTJA E TRANSKRIPTIT
+316: Përshëndetje
+091: Përshëndetje, si ia kalon?
+316: Si je?? Kush jeni ju zotëri?
+091: Unë jam Fredi Alizoti
+316: O Fredi, unë jam drejtori i Policisë së Qarkut
Fierit
+091: Unë jam te QTU-ja dhe po të pres
+316: Te QTU-ja?
+091: Po
+316: Unë jam në Lushnje
+091: Dëgjo vëllanë?
+316: Po
+091: Të flas nga afër unë dhe t’i shpjegoj të gjitha rrethanat
dhe do ikim në Tiranë
+316: Po ti ku rri me shpi?
+091: Unë po të them te QTU-ja?
+316: Hë?
+091: Po të pres te QTU-ja
(BISEDA 2) DATA 01/06/2018 ORA-17:13:40
PËRMBAJTJA E TRANSKRIPTIT
+091: Do ta zgjidhësh ti këtë punë apo ta zgjidhë shefi
lart, e vlla, se unë po marr taksi tani e po iki lart.
+316: Do vij të marr unë thashë, ore
+091: Me ça do vish ti?
+316: U ktheva nga rruga, do vij të marr unë
+091: Po në rregull, hajde se po të pres këtu.
(BISEDA 3) DATA 01/06/2018 ORA-17:20:14
PËRMBAJTJA E TRANSKRIPTIT
+091: O vlla, çfarë bën?
+700: Hiç
+091: Ej, mbaroi ky muhabet
+700: Mirë boll e vlla ca të them vllai
+091: Dëgjo, mua, dëgjo. ej. 5 minuta vjen më merr drejtori
i Përgjithshëm i Fierit këtu. Pesë muhabete i ka bërë.
Mora një pako të mirë
+700: Ok, lali
+091: Ej, do ta dëgjosh, do ta dëgjosh
(BISEDA 4) DATA 07/06/2018 ORA-17:37:30
PËRMBAJTJA E TRANSKRIPTIT
+316: Fredi
+091: Përshëndetje
+316: Po ça bën o? Po ku je ti o?
+091: Unë në kryeqytet- ejj a dëgjon. Thuaj çik atij shefit
të madh, unë jam lart, doja ta takoja një çik sonte.
+316: Ça do?
+091: Doja ta takoja një çik atë shefin tënd
+316: Po ku je o?
+091: Lart, ku më latë thashë o burrë
+316: Shiko, mua nesër në orën 9. Po çne ti, ike direkt?
+091: O vlla, unë nuk kam kthim prapa, ato që janë bërë
janë bërë unë nuk kthehem më mbrapa.
+316: po po pop o po
+091: mere një çik shefin dhe jam këtu lart, e ke parasysh
e du ta takoj se s’bën sonte.
+316: Sonte?
+091: Sonte se s’bën gjallë a vdekur.






