Një gjykatë në Gjermani ka urdhëruar ekstradimin e një bullgari, me dyshimin e përdhunimit dhe vrasjes së gazetares bullgare Viktorija Marinova më 6 tetor.
I dyshuari u arrestua të martën në Stade, pranë qytetit gjerman të Hamburgut.
Gjykata e Lartë rajonale në Celle deklaroi se i dyshuari do të ekstradohet brenda 10 ditëve të ardhshme, nga Gjermania në Bullgari.
Sipas prokurorit Bernd Kolkmeier, i dyshuari i pranoi pjesërisht veprimet e tij gjatë marrjes në pyetje.
“Ai pranoi se në mëngjesin e 7 tetorit 2018 ishte nën ndikimin e fortë të alkoolit dhe drogës dhe se goditi një grua të re të panjohur në fytyrë në një park në brigjet e lumit Danub në Ruse të Bullgarisë,” tha prokurori në një deklaratë.
“Ai më pas e hodhi gruan në një shkurre dhe mohoi se e kishte vrarë me qëllim apo se e kishte përdhunuar e grabitur”, shtoi Kolkmeier.
Prokurori bëri të ditur se i dyshuari ishte shprehur se nuk e njihte viktimën dhe kjo deklaratë për të e përjashton vrasjen për motiv politik.
“Ai do të ekstradohet në Bullgari dhe autoritetet bullgare do të marrin përsipër hetimin,”-tha në përfundim të fjalës ai.


