Besimi fetar dhe ritet fetare u ndaluan në Shqipëri në vitin 1967, e megjithatë, sinjalet që regjimi komunist do kishte “hesape” për të larë me njerëzit që besonin në fe u dhanë që në fillimet e pushtetit pas luftës.
Një shkresë e nisur nga Komiteti i Partisë së Qarkut Berat për në Komitetin Qendror të PKSH-së, në vitin 1947, zbulon propozimin e Reis Maliles, atëherë funksionar partiak në këtë qark, për të hequr nga të gjithë sallat e gjyqeve në Shqipëri dy librat e shenjtë dhe ndërprerjen e ritit të betimit mbi to në gjyqe.
***************
Partia Komuniste Shqiptare
Komiteti Qarkor Berat
Nr.44 i prot.
Vdekje Fashizmit, Liri Popullit
Berat , më 29/5/947
Komitetit Qendror të P.K.SH.
Tiranë
Në gjithë gjyqet e Republikës Popullore të Shqipërisë, për të bërë betimin populli, për gabimet ose çdo gjë tjetër, përdoren akoma Ungjilli dhe Kurani. Mesa mendojmë ne, lënia e tyre akoma në veprim, nuk është aspak e drejtë dhe nuk i përshtatet rrugës tonë të re. Si bazë për t’u hequr kemi këto dy arsye:
Në Statutin e Republikës Popullore të Shqipërisë thuhet “Kisha është e ndarë nga Shteti”, si rrjedhim dhe Ungjilli e Kurani duhet të shkëputen nga organet gjyqësore, që nuk janë gjë tjetër veçse organet e shtetit.
Ne përpiqemi që popullin ta edukojmë me frymën e re, d.m.th. bëjmë luftë kundër çdo gjëje prapanike, kundër zakoneve të prapambetura etj. Lënia e betimit fetar n’organet e shtetit, do të jetë një faktor për inkurajimin e supersticjoneve në mentalitetin e popullit.



