Familjarët e Kujtim Koxhës nga fshati Shëlli i njësisë administrative Lis të Matit, i cili vrau pasditen e së enjtes tre punonjës të bashkisë, janë shprehur se ndihen të turpëruar për aktin në fjalë.
“Kujtimi na ka marrë fytyrën. Na ka turpëruar jo vetëm këtu në fshat e në zonë, por në të gjithë vendin. Që nga dita kur ndodhi ngjarja, ne nuk guxojmë të dalim as tek oborri i shtëpisë. Nuk e dimë pse e bëri dhe si e bëri atë krim të tmerrshëm. Edhe sikur të na falin familjarët e viktimave, ne nuk mund t’u dalim më para syve”, ka thënë njëri prej pjesëtarëve të familjes.
51-vjeçari vrau përpara katër ditëve me breshëri kallashnikovi shtetasin Mentor Hoxha, 36 vjeç, Erzen Aliajn, 49 vjeç, dhe Hamit Buçin. Ai plagosi edhe 40-vjeçarin Astrit Hanin, për ndërtimin e një rruge afër shtëpisë së tij.
E ndërsa pjesëtarët e familjes Koxha kanë dënuar aktin e rëndë, vetë autori i krimit makabër nuk ka shprehur pendesë për marrjen e tri jetëve dhe lënien jetimë të fëmijëve të viktimave.
Burime zyrtare nga Prokuroria e Burrelit dje bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se të hënën do të jepet masa e sigurisë ndaj autorit të masakrës.
Policia mësohet se ka marrë në mbrojtje familjen e autorit të vrasjes së trefishtë, duke kryer shërbim përgjatë 24 orëve.


