Specialistët e Seksionit për hetimin e krimeve ndaj personit dhe pronës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasit: Klaus (Andi) Mullalli, 29 vjeç, banues në Korçë.
Sipas policisë: Ndalimi i tij u bë në bazë të urdhrit nr 09/10, datë 09.10.2018 të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, pasi ky shtetas më datë 09.10.2018, në fshatin Boboshticë-Korçë, dyshohet se nën kërcënimin e armës, i ka marrë një 26-vjeçari, një shumë prej 400 mijë lekë dhe 130 Euro, një pjesë e të cilave iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” ,“Kanosja” parashikuar nga nenet 140, 278 dhe 84 të Kodit Penal.



