Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e ka marrë për bazë këshillën e presidentit të vendit, i cili e ka kërkuar atij të korrigjojë deklaratat për sa i përket negociatave me Serbinë.
Por me sa duket deklaratat e djeshme të presidentit nuk e kanë lëkundur aspak kryeministrin e vendit, dhe deklaroi se ata që kanë ndërmend ta rrëzojnë qeverinë nuk flasin, por vetëm e bëjnë këtë.
“Kush e ka njet me e rrëzu qeverinë nuk flet. Çështja e korrigjimit të kufirit ka vdekur. E vetmja mënyrë me e mbajt gjallë është përmes ndonjë skenari të dhunës”, është shprehur ai.
Haradinaj në një konferencë për media të mbajtur menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë, ka mohuar se deklaratat e kohëve të fundit kanë karakter personal mes tij dhe presidentit Hashim Thaçi.
“Unë nuk e kam me të. E kam me temat. E dini se çka kemi hjek për demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë ai.
Për Asociacionin me kompetenca ekzekutive, Haradinaj mohoi të ketë bërë një premtim të tillë, teksa shtoi se ky i fundit do të bëhet vetëm ashtu siç thotë Kushtetuta.
E sa i përket deklaratave të fundit mbi atë se AKI ka dërguar informata të rreme në Gjykatën e Hagës, kryeministri tha se roli i saj është shumë i rëndësishëm për sigurinë e vendit dhe si e tillë, nuk duhet të lëshohet fare në deklarata të tilla duke u marrë me to.


