Njëri ndër personat e përfshirë në masakrën në zonën e ish bllokut në Tiranë, Geldo Hoti është përballur me gjykatën këtë të hënë duke u shprehur përpara togave të zeza se ai nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e as me personat e përfshirë në përplasjen me armë.
Në dëshminë e tij përpara se gjykata të vendoste për ta lënë 45 ditë në burg, Geldo Hoti është shprehur se ai nuk ka qëlluar askënd me armë dhe se në lokal po qëndronte me Ervin Matën (të dashurin e Elvana Gjatës), Mervjol Bilon (komandon) si dhe Redi Popeskun (pronari i lokalit).
Hoti shprehet se dy persona hynë në lokal dhe nxorrën armët.
“Nuk kam qëlluar askënd. Isha në lokal me Ervin Matën, Mervjol Bilon dhe Redi Popescun. Ai na qerasi me një vere. Më pas erdhën dy persona që s’i njihja filluan të thonë që askush mos levizë e nxorrën armët. Ne atë moment unë u shtriva poshtë tavolinës nga frika”, tha në Gjykatë Hoti.
Në lidhje me arratisjen e tij drejt Greqisë, vend dhe ku u kap nga policia teksa tentonte të largohej në kufi, Hoti tha këto fjalë:
“Në Greqi ika se do merrja një pajisje, jo se do i fshihesha hetimit”.


