Kryetarët e grupeve parlamentare Edmond Spaho dhe Petrit Vasili do të jenë në orën 11:00 tek Prokuroria e Tiranës për të bërë publik padinë penale kundër Edi Ramës. PD dhe LSI bëjnë përgjegjës edhe kryeministrin Edi Rama për kërcënimin e pretenduar të Nuhut, pavarësisht se ish-oficeri nuk ka qenë në gjendje të japë prova konkrete që faktojnë akuzën e tij.
Sikurse, nga hetimi i SHÇBA dhe këqyrja e pamjeve filmike në ambientet e komisariatit të Fushë Krujës, as Nuhu por as edhe personat e akuzuar prej tij nuk rezultojnë të kenë qenë në stacionin e policisë së Fushë Krujës në datën 21 korrik, siç pretendon oficeri se është kanosur me armë në kokë nga Xhelal Rraja, vëllai i deputetit Rrahman Rraja, për të lënë të lirë djalin e tij, Rexhep Rraja i kallëzuar për ushtrim dhune nga ish e dashura, Xhisiela Maloku.


