Në kohën kur dhjetra banesa në zonën e Kamzës pluskonin nën ujë, duket se kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, si ka bërë aspak përshtypje situata e rënduar. Burime të besuara nga Policia e Tiranës thanë për BalkanWeb, se Mziu nuk denjoi t’i përgjigjej thirrjes për bashkëpunim, në një kohë që banorët kërkonin ndihmë.
“Kryebashkiaku nuk iu përgjigj as trokitjeve të policëve në derën e vilës së tij”, tha një burim policor, ndërsa situata nga përmbytjet sa vinte e rëndohej.
Vetëm pas dhjetë orësh, ai reagoi dhe nuk nguroi të hidhte akuza për mosreagim nga ana e qeverisë. Por ndërsa Mziu, nuk dihet se ku ndodhej gjatë orëve të vështira, Shtabi i Emergjencave, kishte nisur drejt Kamzës, zjarrëfikëse dhe mjete të tjera, me qëllim evakuuimin e njerëzve që ishin në rrezik.
Ndryshe nga qytetari i parë i Kamzës, vendorët e Vorës kanë qenë mjaft bashkëpunues. Kryetari i Bashkisë së Vorës, kishte një fatkeqësi familjare, por nënkryetari ka qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me Shtabin e Emergjencave, për cdo situatë.


