Është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike protesta e prindërve dhe fëmijëve të shkollës 9-vjecare në Mengel të Elbasanit, të cilët kërkojnë hapjen e shkollës së tyre, e dëmtuar nga tërmeti para një viti.
Protesta ka nisur qe prej orës 12:00 dhe vijon ende, ndërsa gjendja shëndetësore e fëmijëve është rënduar, pasi janë të lodhur dhe të uritur.
Protestuesit janë ulur sot në mes të rrugës dhe kanë bllokuar qarkullimin në aksin kombëtar Elbasan-Librazhd dhe për pasojë kanë krijuar radhë të gjata automjetesh.
Në pamjet shihen fëmijët të cilët qajnë, madje një nga ata është plagosur në fytyrë.
Në protestë merr pjesë edhe deputeti i PD, Luciano Boci, ndërsa në disa raste ka pasur konfrontime mes protestuesve dhe policisë.
Sipas specialistëve, shkolla e Menglit ka nevojë për rikonstruksion forcues të strukturave pasi rrezikon të shembet. Në të tillë situatë nxënësve u është siguruar transporti falas deri në shkollat e qytetit, por rreth 200 nxënës e kanë bojkotuar.








