Ekonomia shqiptare pritet të përballet me një test të rëndësishëm ditën e sotme, teksa qeveria do të dalë në tregjet ndërkombëtare për të marrë 500 milionë euro huà përmes emetimit të një eurobondi.
Kjo është hera e tretë, që Shqipëria del në tregjet ndërkombëtare të financave. Por, Top Channel mëson se, ndryshe nga dy herët e mëparshme, këtë radhë Ministria e Financave mund të emetojë një eurobond 7-vjeçar.
Emetimi i eurobondit me afat 7 vite përbën një risi për Shqipërinë, çka nëse do të rezultonte i suksesshëm do të pasqyronte një rritje të besimit të investitorëve të huaj tek ekonomia.
Huaja e marrë përmes eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer para kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes eurobondit të emetuar në vitin 2015.
Këto borxhe u morën në vitin 2015 me një interes 5.75 për qind dhe duhet të shlyheshin në vitin 2020.
Por, Ministria e Financave beson se eurobondi i ri do të rezultojë me interesa më të ulëta, ndaj ka vendosur që një pjesë të tij ta përdorë për të shlyer eurobondin e vjetër, një operacion që do të ulte koston e borxhit për buxhetin dhe qytetarët.


