Xhisiela Maloku, vajza që denoncoi për përdhunim djalin e deputetit të Fushë-Krujës, dëshmi e tërhequr pastaj prej saj është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krujës ditën e sotme.
Shqiptarja.com dhe Report Tv mësojnë se vajza është marrë në pyetje sot në Prokurorinë e Krujës për llogari të hetimeve të reja të nisura pwr rastin që ka ende disa pikëpyetje të pazbardhura. Burimet sqarojnë se në dëshminë e saj vajza i ka qëndruar disa prej fakteve të dëshmisë së saj fillestare por ka dhënë version tjetër për disa të tjera.
Një ditë më parë Report Tv mundi të lexojë ekspertizën mjekoligjore të kryer në trupin e 25-vjeçares, Xhisiela Maloku, në momentin që ajo ka bërë denoncimin ndaj ish të dashurit të saj Rexhep Rraja. Në këtë akt ekspertim një element i rëndësishëm për hetimin thuhet:
“Dërrmishtja në shpatullën e djathtë dhe ekimozat në pulpën dhe kërcirin e majtë, janë shkaktuar me mjet mbretës. Dërrmishjet e vërejtura në kofshën e djathtë, janë shkaktuar nga veprimi i faktorëve termikë, siç mund të jetë edhe cigarja. Dëmtimet e mësipërme hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë së përkohshme për punë në masën deri në 9 ditë”.
Në këtë përfundim mbërrin mjeku Elton Serani në ekspertizën mjekoligjore për shtetasen Xhisiela Maloku. Sipas kësaj ekspertize dëmtimet që ka marrë 25 vjeçarja i kanë sjellë asaj pamundësi fizike për të qenë e aftë për punë, ekspertizë kjo e cila është shoqëruar për hetuesit edhe me tabelën fotografike të dëmtimeve. Fakti që ekspertiza mjekoligjore ka përcaktuar në raport 9 ditë paaftësi për punë, detyrimi sipas ligjit bën që hetimi i çështjes të vijojë, pavarësisht tërheqjes së kallëzimit nga e dëmtuara Xhisiela Maloku.


