Ka shumë arësye se përse ajo që opozita jonë e quajti Platforma Antimafia, në vend që të ngjallte optimizëm dhe të krijonte një frymë të re debati dhe diskutimesh kundër krimit të organizuar, duket sikur bëri efektin e kundërt, duke tërhequr rrufetë e opinionit kundër saj.
Ajo që pritej të ishte një platformë kundër mafias në këtë vend, u konsiderua më së shumti si një platformë kundër biznesit. Në vend të një dokumenti strategjik, për ta ndarë njëherë e mirë qeverisjen dhe politikën nga krimi i organizuar dhe lidhjet okulte me të në Shqipëri, po trajtohet si një fletërrufe kundër një liste me emra të përveçëm biznesmenësh dhe kompanive të tyre.
Pyetja e parë që lind pas këtij debati, për të gjithë ata që duan ta kuptojnë më thjeshtë atë që po ndodh, është: Çfarë është në fakt një platformë, ose e thënë ndryshe, një dokument strategjik për një çështje të rëndësishme si kjo në politikë?
Përgjigja e parë teorike mund të jetë: Platforma Antimafia e opozitës është një plan i përgjithshëm i një loje, për të arritur nepërmjet saj nesër, një fitore politike dhe elektorale mbi kundërshtarin. Që në këtë rast është PS dhe mazhoranca qeverisëse e Edi Ramës.
Pyetja që mund të shtrohet më pas është: Çdo të thotë të kërkosh miratimin e një platforme të tillë? Përgjigja gjithashtu teorike mund të jetë: Do të thotë që opozita po përpiqet të ndërtojë urën drejt suksesit të vet, duke i bërë qytetarët dhe votuesit e këtij vendi, që të tejkalojnë paqartësitë dhe pasiguritë e sotme, duke parë më qartë me sytë e mendjes, një të ardhme më të mirë për veten dhe për vendin.
Pra me fjalë të tjera, platforma apo dokumenti strategjik kundër një fenomeni që kërcënon shoqërinë sot, e që ti angazhohesh që ta çlirosh e ta pastrosh atë nesër, është një planifikim i mirëkalkuluar që pas një serie veprimesh e hapash, të çon nga gjendja aktuale, drejt asaj pike ku janë fokusuar dëshirat tona për të ardhmen. Duke parashikuar që tani, edhe hapat që do të hidhen, për të përshkruar rrugën drejt qëllimit final.
Por ajo që bie menjëherë në sy në Platformën Antimafia të opozitës sonë, është fakti se ajo nuk është e mbushur me këto elementë që përbëjnë çdo dokument tjetër strategjik. Vendin kryesor në të, e zenë emrat e përveçëm të një liste të gjatë biznesmenësh dhe të një sërë kompanish, në pronësi apo të lidhura me to.
Eshtë e njohur shprehja e Eleonor Ruzvelt, bashkëshortes së ish Presidentit Amerikan,- që duket se i shkon edhe këtij rasti,- e cila thotë: “Mendjet e mëdha flasin për idetë, mëndjet mesatare për ngjarjet dhe mëndjet e vogla flasin për… njerëzit”.
Mund të ketë shumë shkaqe se përse u prit në këtë mënyrë Platforma e re e opozitës sonë. Por besoj se një prej arësyeve se përse ajo nuk ngjiti, lidhet ndoshta me siguri, me faktin se në vend të ideve frymëzuese për të ardhmen, ajo fliste për të shkuarën, me emrat e disa njerëzve të përveçëm.
Sado mëkatarë që të ketë mes tyre, sado urrejtje dhe neveri mund të provokojnë raportet e tyre me qeveritë e radhës në Shqipëri, duke i bërë pjesë të një Platforme të tillë politike me emrat e tyre të përveçëm, ata në vend të demonizimit u ekspozuan përpara syve të publikut si viktima. Në psikologjinë popullore, të viktimizohesh është rruga më e sigurtë për të fituar simpatinë e njerëzve. Ndaj me sa duket, Platforma e opozitës sonë, nuk ngjiti këtë radhë.


