Zbulohet një skelet njeriu në tunelet e Qafë Shtamës. Eshtrat janë zbuluar ditën e sotme gjatë gërmimeve nga një ekip i Forcave të Armatosura, për pastrimin e tuneleve nga armatimet e mbetura aty.
Dyshohet se eshtrat i përkasin një prej 23 personave që humbën jetën në vitin 1997, duke nxjerrë armë, ndërsa tuneli shpërtheu nga municionet. Pas tragjedisë një pjesë e tunelit u shemb, duke pamundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë. Tuneli u mbyll nga ushtria dhe qëndroi i tillë për 21 vjet me radhë. Ndërsa prej një viti forcat xhenio po punojnë në tunelin e Qafë Shtamës për pastrimin e tij.
Eshtrat e gjetura në tunelin e Qafë Shtamës
Drejt Qafë Shtamës janë nisur një grup ekspertësh nga Prokuroria e Dibrës për këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që për identifikimin e eshtrave do duhen analizat e ADN-së.
Gjurmët e tragjedisë së 1997 ndihen edhe sot e kësaj dite. Predha dhe armatime të tjera të pashpërthyera janë të shpërndara në të gjithë zonën duke u bërë një rrezik i vazhdueshëm për banorët.


