Prej disa ditësh përroi i Zharrzës është ndotur nga shkarkimet e depove të naftës bruto të kompanisë shtetërore Albpetrol.
Si pasojë e ndotjes së naftës dhe shkarkimeve 6 banorë të këtij fshati janë paraqitur në urgjencën e spitalit të Fierit, duke pohuar se kanë pësuar intoksikim. Pritet kryerja e analizave për të konkluduar në arsyet që kanë sjellë pasoja shëndetësore tek të rinjtë nga fshati i Zharrëzës.
Duke folur për gazetarin e Fax News Edmond Hoxhaj një prej personave që ka përfunduar në spital shprehet se ndotja ka qenë shumë e madhe, dhe disa prej tyre kanë ndjerë dhembje koke, dhe më pas e kanë pasur të pamundur që të ecin.
‘’Unë po punoja në lokalin tim që është ngjitur me urën dhe erdhi një erë shumë e fortë, fillimisht mendova se ishte duke kaluar ndonjë prej boteve. Por më pas çunat ndjenë shqetësime, shkuam te përroi dhe pamë që po bëheshin shkarkime. Morëm në telefon policinë dhe i thamë për gjendjen, i morëm të tërë me radhë, se donim të lidheshim me Tiranën. Shkarkojnë serë, ujë të ndotur, gazra, të gjitha i shkarkojnë”, shprehet një prej banorëve që ndodhet në spitalin e Fierit.
Banorët thonë më tej se kjo situatë vijon prej kohësh dhe pavarësisht denoncimeve të tyre, ndotja vijon të jetë prezente dhe duke shkaktuar dëme të tilla shëndetësore.
Të 6 personat që kanë mbërritur në urgjencë kanë qëndruar në spital mbrëmjen e djeshme ku kanë marrë dhe ndihmën e nevojshme mjekësore, pasi shenjat që shfaqeshin ishin dhimbje koke, dhe pamundësi për të qëndruar në këmbë.



