Vendimi për vendosjen e taksës në “Rrugën e Kombit” nga ana e qeverisë, solli mjaft pakënaqësi tek qytetarët.
Menjëherë erdhi reagimi, jo vetëm i kuksianëve, por në shumë qytete të tjera. Gjithçka më pas kaloi në një paralajmërim për protestë në 31 mars. Dhe kështu ndodhi, ku mijëra qytetarë u mblodhën tek trau ndarës.
Gjithçka filloi mirë, po pak më vonë degradoi në përplasje e përleshje mes protestuesve dhe forcave policore. Disa prej prostestuesve u arrestuan, e më pas u lanë të lirë.
Pak kohë pas protestës, kryeministri Rama njoftoi se tarifa do të zbatohej, por me masat përkatëse lehtësuese.
E njëjta gjë duket se i irritoi përsëeri qytetarët, të cilët përsëri paralajmëruan një protestë të dytë.
Përsa i përket pagesës së tarifës, gjithçka ndodhi siç ishte parashikuar, ku pikërisht ditën e sotme vazhdoi dhe zbatimi i pagesave për kalimin nga kjo rrugë.
Por qytetarët paralajmëruan një protestë për ditën e sotmë në orën 11:00.
Çfarë ndodhi?
Në mëngjesin e sotëm, rreth orës 10:00 aktivistët e shoqërisë civile mbërritën në Kukës në mbështetje të qytetarëve, me pankarta dhe gati për të protestuar. Edhe pse me një numër të vogël pjesëmarrësish, ata thanë se kishin ardhur për të protestuar për diçka të padrejtë, sipas tyre, dhe që ndan vendin tonë nga Kosova.
Çudia ndodhi më vonë, kur në orën 11:00 protestuesit dhe aktivistët nuk u organizuan. Pra protesta e paralajmëruar nuk u zhvillua, e mesa duket qytetarët janë pajtuar me vendimin e dytë duke e anulluar atë.


