Politika shqiptare ditët e fundit po “vlon” nga debate mbi vettingun e politikanëve, nëse duhet bërë, pranuar ose jo.
Ajo kosovare, vijon më çështjen e ndryshimit të kufijëve që duket se edhe për disa kohë do të jetë temë kryesore.
Në një intervistë ekskluzive për AlpeNews.al, Spartak Ngjela flet me emra përsa i përket politikanëve që duhet të tremben, sipas tij, nga hetimi për korrupsion si dhe për akuzat ndaj ish kryeprokurorit të përgjitshëm Adriatik Llalla, të cilën Ngjela e konsideron si shef të krimit të organizuar në Shqipëri.
Intervista e plotë:
1.Debati më i madh i këtyre ditëve po zhvillohet mbi Vettingun e politikanëve. Mendoni se është i nevojshëm?
Nuk ka gjasë të pranohet, sepse është një kërkesë ekstrakushtetuese dhe kuptohet se bëhet me tendencën e bllokimit të reformës. Politikanët e lartë nuk kanë veting, por hetim për korrupsion. Kjo është kushtetuta e re e miratuar në vitin 2016. Berisha duket i trembur, dhe bashkë me të edhe Rama edhe Basha. Në fakt tani është e provuar që këta të tre kanë rënë në korrupsion, dhe reforma në drejtësi, i penalizon dhe i shpronëson që të tre. Sot pritën të dalin organet e reja të goditjes penale të politikanëve, sipas kushtetutës së re. Pikërisht kjo po kërkohet të bllokohet me një kërkesë absurde të Partisë Demokratike. Domethënë Berishës. Edhe kryeministri aktual ishte dakord me këtë kërkesë, por asgjë nuk mund të bëjnë dot. Mbas vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve fillon goditja penale kundrejt korrupsionit Berisha, Rama, Meta. Për mendimin tim këta të tre nuk kanë asnjë shpresë për t’i rezistuar reformës. Janë të hetuar nga FBI, dhe shkeljet korruptive të tyre janë ultrakriminale. Përpjekja e re e Berishës për të nxjerrë lojën e vetingut kundrejt politikanëve, kur po pritet të formohet institucionalisht Byroja Kombëtare e Hetimit, është frikë infantile. Hetimi dhe akuza kundër korrupsionit Berisha, Rama Meta, tani quhet e pashmangshme. Çdo përpjekje për bllokim, është e kotë.
2.Partia Demokratike bëri publik amendamentin ku e shpjegonte mënyrën e saj për Vettingun. A është i saktë, apo fshihet diçka pas tij?
Është ajo që shpreha më lart: Kjo është një kërkesë për shpëtim të korrupsionit kryeministror shqiptar. Ambasadori amerikan u tall me këtë kërkesë para dy ditësh. Dhe kishte të drejtë.
3.Si e vlerësoni faktin e ngritjes së akuzave për Adriatik Llallën dhe bashkepunetoren e tij Rovena Gashi?
Ishte e pritur. Llalla ka qenë një shef i krimit të organizuar në Shqipëri. Ka bërë miliona dollarë duke i shërbyer krimit dhe duke qenë njëherësh Prokuror i Përgjithshëm. Një fshatar i varfër, pa arsimin përkatës, Adriatik Llalla, i emëruar nga Meta dhe Berisha, ishte ndihmësi më i madh i korrupsionit shtetëror dhe krimit të organizuar në Shqipëri, duke qenë Prokuror i Përgjithshëm. Kaq mjafton për të kuptuar se në çfarë gjendje rreziku e kanë pas futur Shqipërinë këto hordhi kriminale. Shpejt do t’i dëgjoni të provuara bëmat e tyre.
4.Çfare tregon ky model për drejtësinë e kaluar dhe çfarë duhet bërë që të mos përseritet në të ardhmen?
Ky ishte një model tiranik i drejtësisë në Shqipëri. Por kam mendimin se Kushtetuta e vitit 2016 e ka zgjidhur eliminimin e bazës institucionale të padrejtësisë në Shqipëri. Padrejtësia është institucionale, ndryshe nuk ekziston. Ajo është një skemë tiranike, të cilën e vendos politika. Kushtetuta e re shqiptare, sjell likuidimin e padrejtësisë institucionalë në Shqipëri. Por, kjo sigurisht që vjen domosdoshmërisht me akuzën penale kundrejt autorëve politikë të kësaj skeme. Këtë do të shihni në Shqipëri të implementohet muajt që do të vinë.
5.Debati për kufijtë Kosovë-Serbi duket se është në kulmin e tij. Kemi të bëjmë me një pakt të “fshehtë” Thaçi- Vuçiç?
Krerët shqiptarë gjithmonë e kanë shitur interesin kombëtar në Beograd. Kurrë mos u çuditni nëse këtë e shihni edhe sot, në Tiranë apo në Prishtinë. Ky ka qenë shkaku kryesor në humbjen territoreve arbërore. Gjithsesi kjo që kërkon të bëjë Thaçi dhe Rama, edhe pse është sëmundje e vjetër shqiptare, sot tingëllon qesharakë. A e dini Pse? Sepse Serbia është një shtet i mundur në luftë, kurse Kosova fituesi i luftës së këtij humbësi. E pra, si ka mundësi që fituesi t’i falë territore humbësit, kur vetë fituesi e ka bërë luftën për të fituar territorin e tij nga pushtuesi?
Si ka mundësi që fituesi t’i japë territor pushtuesit të mundur në luftë? E kuptoni se në çfarë pozicioni të dyshimtë ndodhet Ashim Thaçi, i cili si President i Kosovë që është, nuk e ka këtë kompetencë. Atëherë, pse e negocion? Kjo është pyetja e cila, duke e pasur përgjigjen brenda saj, e zhvleftëson Presidentin e Kosovës.
6.A do të shembet godina e Teatrit Kombëtar?
Nuk di çfarë të them për këtë, sepse ndërkohë ka hyrë Brukseli në këtë çështje. Të presim dhe ca.
Përgatiti: AlpeNews.al


