Alesandro Lupi e nis me këmbën e mbarë përvojën e tij në krye të të rinjve të Milanit, pas ngritjes në detyrë të Xhenaro Gatuzos. Kuqezinjtë “e vegjël” kanë marrë dje një fitore të thellë ndaj Fiorentinës duke siguruar kështu kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë në kategorinë përkatëse.
Pas dygolëshit të Kapanit dhe rrjetës së tretë të Larsen, ka ardhur edhe realizimi për “pokerin” kuqezi. Goli i katërt i sfidës është shënuar nga 18-vjeçari Ismet Sinani. Mesfushori shqiptar kishte hyrë në lojë në minutën e 60-të në vend të fantazistit Tiago Dias.
Për 18-vjeçarin, ky është goli i parë në Kupën e Italisë për këtë sezon, teksa në kampionat ka arritur të ndiejë shijen e golit në dy raste, megjithëse ka luajtur vetëm 293 minuta nga 1080 të disponueshme. Në sfidën e djeshme ndaj Fiorentinës, për Milanin në fushë nga minuta e parë ka qenë edhe Emir Murati, shqiptari tjetër i ekipit kuqezi.
Fantazisti i ditëlindjes 2000 është aktivizuar në krahun e majtë, duke ofruar rendimentin e zakonshëm, madje dy krosime të tij janë shpërdoruar në mënyrën më të keqe nga sulmuesit. Pas takimit në Firence, Murazi ka bërë edhe një postim në profilin e tij “Instagram”, ku ka uruar grupin për kualifikimin në turin pasardhës.



