Qeveria ka vendosur që të bëjë një studim që ndjek në vetvete efektet që ka pasur reforma e modernizimit të asistencës sociale me fokus ndihmën ekonomike. Përmes fondeve të siguruara nga kredia me Bankën Botërore Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të kryejë vlerësimin total të reformës duke nxjerrë diferencat përmes krahasimit të rasteve specifike(mostrave) që janë sot në skemë si dhe atyre të përjashtuara pra një vlerësim i situatës para reformës ( vitit 2014) dhe pas reformës (viti 2018). Kjo analizë do të përfshijë tre rajonet pilote ku nisi zbatimi i reformës siç është Tirana, Durrësi dhe Elbasani.
“Ky objektiv do të përfshijë zbatimin e analizave apo vëzhgimeve për mostrat e familjeve (që do të mblidhen nga një kompani e pavarur) dhe që do të udhëhiqet nga një metodologji e dizejnuar më herët nga një konsulent ndërkombëtar. Më pas të dhënat që do të mblidhen do të analizohen për të përgatitur raportin e vlerësimit të ndikimit” thuhet në dokumentet e publikuara nga Banka Botërore por që i përkasin Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Objektivi i dytë i kësaj procedure është vlerësimi në afatshkurtër i ndikimit në të zbatimit në shkallë kombëtare të reformës tek ndihma ekonomike. Kjo do të matet duke përdorur një skicë eksperimentale me të dhëna të marra vetëm një nga mostër familjes për pjesën tjetër të vendit.
Studimi do të kryhet nga një konsulent i cili do të përfshihet në dizejnimin dhe analizën e ndikimeve që ka pasur reforma tek familjet duke kombinuar si situatën reale sot ashtu edhe atë të pritshme kur gjithçka të kalojë në bazë të gjerë kombëtare. Konsulenti do të zhvillojë një sondazh të ri me pyetje të reja për të siguruar matjen e rezultatit dhe variablave të tjerë të nevojshëm për të verifikuar rezultatin paraprak.
Në shkurt të këtij viti nisi aplikimi i sistemit të ri të Ndihmës Ekonomike nxori nga skema disa mijëra familje duke ulur me 32 për qind numrin e atyre që përfitonin. Shumë familje do të ankoheshin se përjashtimi i tyre ishte i padrejtë. Në fakt edhe Banka Botërore e cila është mbështetëse e kësaj reforme do të theksonte në rishikimin e fundit të programit në korrik të këtij viti se ndoshta në skemë duhet të shtohen më shumë familje.
“Vihet re një progres shumë i limituar i zbatimit të projektit që nga vizita e fundit e mbështetjes së zbatimit në dhjetor 2017. Zbatimi i reformës së Ndihmës Ekonomike mbështetur nga projekti po vazhdon me zgjerimin kombëtar nisur në 1 janar 2018 (edhe pse planifikuar për t’u nisur në shtator 2017). Që nga fillimi i zgjerimit në shkallë kombëtare ka pasur një rënie të numrit të përfituesve të Ndihmës Ekonomike (që ranë nga 80 mijë familje në dhjetor 2017 në 54 455 në maj 2018) më shumë e lidhur me pragun konservator të vendosur. Megjithatë treguesi që lidhet me disburisimin ende duhet të arrihet. Ekipi i bankës po punon me klientin për të parë nëse ka mundësi që të futë familje të varfra shtesë në program” do të shprehej Banka në raport.


