Vrasja e Alket Muhos në fshatin Rabije të Tepelenës ka mbetur ende pa autor.
43-vjeçari u vra në derën e shtëpisë së tij ndërsa fillimisht u tha se ngjarja kishte ndodhur pasi Muho kishte informuar policinë rreth parcelave me kanabis në këtë zonë.
Fshati është në një vend të thellë dhe Alket Muho kishte ndërtuar atje një kasolle prej dërrase ku banonte së bashku me gruan dhe djalin 5-vjeçar.
Një ditë pas vrasjes së tij, policia arrestoi dy kushërinjtë e largët të viktimës, Hetem dhe Dino Muho, 59 dhe 20 vjeç.
Babë e bir kishin pasur konflikte të mëparshme me kushëririn e tyre ndërsa ditën që u vra Alketi, ata ishin prezentë në fshat.
Mirëpo në polici ata kanë thënë:
Nuk kemi asnjë lidhje me ngjarjen.Ndodheshim rastësisht në fshatin Rabije, ishim për vizitë në vendlindje. Erdhëm për të parë nënën.”
Ndërkohë ende nuk është gjetur arma e krimit me të cilën është kryer vrasja. Dyshohet se 59-vjeçari i cili ishte posedues i një çifteje mund ta ketë vrarë dhe më pas të ketë zhdukur armën të cilën e kishte me leje.
Ai ka deklaruar në Polici vetëm një ditë më parë se i ka humbur. Fshehja e këtij fakti ka shtuar dyshimet e Policisë për implikimin e tij në vrasje, ndërsa në vendngjarje është gjetur vetëm një gëzhojë arme automatike e kalibrit 7.62 mm nga 20 plumba me të cilat është qëlluar viktima. Gjithsesi, do të jenë rezultatet balistike të mëvonshme të cilat do të saktësojnë nëse çiftja e përdorur në krim është e njëjtë me atë të regjistruar në emrin e 59-vjeçarit Muho. Prova e vetme e Policisë deri tani janë prezenca e babë e bir në fshatin ku ndodhi vrasja, por edhe deklarimet kontradiktore të autorëve të dyshuar në lidhje me vendndodhjen e tyre si dhe ato gjatë përgjimeve ambientale.
Mësohet se dy vite më parë, i dyshuari Muho e kishte hedhur në gjyq çështjen me kushëririn e tij të largët Alket Muho. Por për arsye ende të paqarta, vetë paditësi ishte tërhequr nga kjo çështje, e cila më pas ashtu siç e ka edhe procedura gjyqësore, është pushuar, shkruan Panorama.
Dy familjet ishin në konflikt me njëra-tjetrën prej 5 vitesh dhe madje kohët e fundit kishte pasur disa herë përleshje mes autorëve të dyshuar dhe viktimës.


