Sezoni i ri Parlamentar ka filluar me shumë debate, përplase dhe përçarje. Mazhoranca dhe opozita kanë krijuar “dy parlamente”. Njëra shfaqet në qytete të ndryshme, e ndërsa tjetra në Kuvend.
E gjithë kjo një situatë jo shumë e këndshme, pasi me kalimin e ditëve po afrohemi në zgjedhjet bashkiake, ku disa muaj na ndajnë nga to. Gara duket e ashpër që pa vazhduar ende fushtata, por ende nuk kemi emra zyrtarë se kush do të jenë kandidatët përkatës.
I vetmi që e ka shpallur zyrtarisht atë, është ish deputeti i PS, dhe njëkohësisht kryetari aktual i Partisë BASHKIMI DEMOKRISTIAN SHQIPTAR (PBDSH), Eduart Ndocaj. Bëhet fjalë për garën për kryebashkiakun e Lezhës.
AlpeNews.al kontaktoi me ish deputetin Ndocaj, ku në një intervistë foli mbi gjendjen aktuale të politikës në vend, si dhe për planin që ka forca të cilën ai drejton.
Ai tha se qeveria akoma nuk ka kryer punë gjatë dy mandateve të saj, e përsa i përket opozitës, ai shprehet se ajo e Bashës ka vdekur sëbashku me çadrën.
Intervista e plotë:
1-Erdhët në politikë nga rradhët e PS, më pas kaluat në opozitë me PD, e tani me asnjërën palë. Cilat ishin shkaqet e largimit nga dy koalicionet?
Së pari, të qartësohemi: s’janë dy koalicione, por PPSh e Ramiz Alisë dhe një mafia politike e mirfilltë që bashkpunojnë bashkë, kundër interesave të vendit dhe të ardhmes së shqiptarëve. Jam larguar, pasi është e thjeshtë të konstatosh, se forcat politike që kanë dominuar politikbërjen në këtë vend, kanë mungesë të theksuar të demokracisë së brendshme në subjektet e tyre respektive, ndaj dhe është e vështirë të qëndrosh në akord më ata që shkelin parime dhe dhunojnë standarde.
2-Si do të vazhdojë kjo “histori”? Do të mbeteni besnik i elektoratit në partinë tuaj, apo do të ktheheni në koalicion sërish?
Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar është dhe do të mbetet e vetmja opozitë reale shqiptare bashkë me kryetarin dhe mbështetësit e shumtë të kësaj force politike. Ne do të kandidojmë në 61 bashkitë e vendit me kandidatët tanë dhe jemi të vendosur të shporrim këtë klikë komuniste dhe kandidatë e tyre që janë shndërruar në oligarkë dhe pjesë e krimit dhe e mafias në vend. U kërkoj shqiptarëve të votojnë dhe të na mbështesin në çdo bashki, se PBDKSH-ja do të jetë revolucioni i të ardhmes shqiptare.
3-Jemi ende disa muaj larg nga zgjedhjet, por ju e keni shpallur prej kohësh kandidaturën tuaj për Bashkinë e Lezhës. Mendoni se do arrini të dilni fitimtar përballë dy kandidatëve të tjerë?
Me mbështjen e qytetarëve jam plotesisht i bindur se do të fitoj kundër tre forcave politike që kanë shkatërruar Lezhën në çdo pëllëmbë toke dhe në çdo qelizë të saj, duke filluar me grabitjen e tokave në bregdet, e deri te “pushtimi” që i kanë bërë institucionit të bashkisë me militantë dhe të paaftë, shpeshherë dhe njerëz të botës së krimit.
Lezhianët më njohin, prandaj ata më kanë kërkuar unanimisht për të qenë unë përfaqësuesi i tyre në zgjedhjet e vitit 2019, sepse përfaqësoj vullnetin dhe vizionin për të zhvilluar qytetin tim. Lezhianët e dinë mjaft mirë se unë nuk synoj bashkinë për t’u pasuruar dhe as për ti grabitur, por të vihem në shërbimin e tyre për të sjellë përvojën europiane të administrimit të pushtetit, si dhe për të riktyer shpresën e rimëkëmbjes ekonomike të Lezhës së resurseve të pafundme.
I garantoj bashkëqytetarët e mi lezhianë, se do të kenë një bashki profesionale dhe në sherbim të tyre. Ne do jemi ekzekutivi i halleve dhe problemeve të tyre. Në shërbim të tyre, unë kam të gatshëm projekte të hartuara me ekspertizën e duhur, të cilat i nevojiten zhvillimit ekonomik të kësaj bashkie, shkurtimisht, si më poshtë:
-PROGRAMI PËR INFRASTRUKTURËN DHE BUJQËSINË:
- Brenda 4 viteve çdo fshat do ketë rrugë të asfaltuara dhe qendra të ndriçuara.
- Do rikonstruktojmë kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha në Lezhë që të evitohen përmbytjet e qytetit.
- Do ndërtojmë sistemin e transportit publik sipas modeleve më të mira europiane, duke lidhur secilin fshat me qendrën e bashkisë. Transporti për nxënësit e shkollave do jetë falas.
- Do të pastrojmë të gjitha kanalet kulluese në administrim të bashkisë.
- Do të ndërtojmë kanale vaditëse që mbulojnë të gjitha fshatrat e Lezhës
- Çdo familje në fshat që nuk ka njeri të punësuar në privat apo shtet, do t’i mundësohet 100% rimbursim të shpenzimeve për punimin e tokës.
- Do ndërtojmë tregun e ri me fonde të Bashkimit Europian siç është në Tiranë dhe do të ulim me 30% tarifën aktuale për tregtarët.
-PROGRAMI PËR MIRËQËNIEN SOCIALE:
- Për të gjithë të moshuarit që jetojnë vetëm do ndërtojmë skema për rimbursim të ilaçeve.
- Për çdo familje me 8 anëtarë që nuk kanë asnjeri të punësuar në zonat fushore do t’u jepet nga një lopë, ndërsa në zonat malore do u mundësojmë 5 krerë të imta brenda dy viteve të para të mandatit tim.
- Për familjet që kanë një person me aftësi të kufizuara në shtëpi Bashkia Lezhë do japë 5000 lekë të reja në muaj.
- Për çdo çift të ri bashkia i mundëson pagesën e 50% të qerasë.
- Per çdo lindje të fëmijës së parë bashkia do të japë 100.000 lek shpërblim dhe 12 muajt e parë të çerdhes falas.
- Për çdo lindje tjetër pas fëmijës së parë bashkia do të japë një shpërblim prej 50.000 lekësh.
- Çdo familje që nuk ka të punësuar bashkia do u paguajë 50% të faturave të energjisë dhe ujit duke vendosur nje tarifë fikse asistence 30 mije lek në muaj.
- Bashkia Lezhë do paguajë 50% të tarifës së shkollimit universitar për studentët ekselentë.
-PROGRAMI PER MIRËQEVERISJE:
- Te gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do kenë ngrohje dhe ndriçim me sistem diellor që do të garantohen nga fonde të sigurta nga projekte të BE për njësitë vendore në zhvillim.
- Do ulim taksat e bashkisë për qytetarët me 50%, përfshirë taksën e tokës, për familjet që nuk kanë anëtarë të punësuar.
- Çdo biznes i ri me mbi 10 punëtorë do përjashtohet nga taksat për 2 vitet e para.
- Bashkia në bashkëpunim me biznesin do të sigurojë kurse falas sipas nevojave të tregut të punës, sipas modelit dhe të mbeshtetur nga Bashkimi Europian .
- Të rinjtë që mbarojnë shkollën me nota të shkëlqyera do të punësohen nga bashkia në profesionin e tyre pa asnjë burokraci.
- Bashkia Lezhë do të ngrejë fonde për futjen e teknologjisë në shkolla dhe aftësimin teknologjik të publikut me anë të kurseve të ndryshme.
- Do restaurojmë Pallatin e Kulturës me kushte bashkëkohore në bashkëpunim me “LA SCALA DI MILANO”. Do administrojmë talentet e reja dhe të afirmuara duke krijuar grupe artistike të të gjitha moshave.
- Bashkia Lezhë do të paguajë 100.000 lekë shpërblim çdo vit për artistët lezhjanë në shenjë mirënjohje nga qyteti.
4-Sezoni i ri Parlamentari filloi me shumë konflikte. Si e gjykoni ju këtë ndarje në “dy parlamente”?
Ky s’është sezon parlamentar, këtu po diskutojnë 3 banda të mirëfillta, ku kanë zyrat qendrore në Kuvendin e Shqipërisë. Shpresoj, të fillojë vetingu tek kjo zyrë bandash, që ju i thoni parlament dhe të pastrohet njëherë e përgjithmonë politika e kalbur 28 vjeçare. Unë s’e kam konsideruar asnjëherë atë ndërtesë si një ndërtesë në shërbim të qytetarëve të cilëve sot u cënohet rendi, siguria dhe e ardhmja e tyre në Shqipëri. Kjo ndërtesë është në shërbim të oligarkëve, gjoja biznesmenë, por në të vërtetë janë njerëz që po u pinë gjakun shqiptarëve me bekimin e kësaj klase politike. Kjo ndërtesë është në shërbim të mafias së brendshme dhe të jashtme, ku kemi një ish- ministër të brendshëm të akuzuar për trafikantë droge, siç është Tahiri, kemi ministrin aktual të brendshëm të akuzuar për lidhjet e tij me trafikantë të drogës, pra me vëllain e tij të dënuar në Itali, si i tillë. Kemi disa ministra ta akuzuar par vjedhje kolosale, siç janë ish- ministri i shëndetësisë Ilir Beqja. Kemi një ministër injorant ekonomie me diplomë anglishtjeje, që s’di ç’është ekonomia, por është aty për të vjedhur e për të mashtruar me shifra idiote, siç tha deklaroi rastin e hapjes së 700 mijë vendeve të punës apo rritjen ekonomike prej 4%, por në xhepat e Ramës dhe të bandave të tij është kjo rritje, se populli është zhytur në në varfëri esktreme. Jo më kot kryeministri po shfaqet në ture bamirësie, ku u çon fshatarëve 2 dele e u merr atyre 300 pare.
5-Sa mendoni se do të zgjasë ky bojkot nga ana e opozitës?
Bojkoti nga ana opozitës do të zgjasë, sa t’i dërgojnë pjesën e vet opozitës, sa të marrë valixhet me euro ata kthehen në parlament, siç bëri me çadrën, siç bëri me kuksianët, siç bëri me Tahirin, edhe tani do të marrë këstin tjetër nga banda e rilindjes dhe do të ulen prapë ta ndajnë Shqipërinë pjesë -pjesë. Këto janë një, s’janë 2 parti, janë PPSH-ja.
6-Si e vlerësoni punën e kryer nga qeveria gjatë këtij mandati të dytë?
Po pse, ka filluar punë ndonjëherë kjo qeveri në dobi të qytetarëve? Që nga viti 2013, ka patur vetëm demagogji, akoma nuk mund të flitet për ndonjë punë të kësaj qeverisjeje. Ato po ndajë konçensionet me oligarkët, po i shesin detin grekut edhe pse Shqipëria mbaron në Prevezë dhe Korfuzi është tokë shqiptare. Qeveria e sotme po shet lumenj , minierat, burimet natyrore, naftën, gazin dhe po pasurohen verbërisht si të babëzitur duke shkatërruar kombin. Sa më shpejt t’a kuptojnë shqiptarët, aq më mirë është për ata dhe për Shqipërinë. Duhen larguar nga politika dhe duhen dërguar para drejtësisë duke iu sekustruar pasuritë e tyre të paligjshme .
7-Po rolin e opozitës? Mendoni se po e bën detyrën ashtu siç duhet?
Opozita e Bashës ka vdekur bashkë me çadrën. Opozitën tani po e bëj unë si Eduart Ndocaj dhe partia që drejtoj unë BASHKIMI DEMOKRISTIAN SHQIPTAR. Sëbashku me shqiptarët e shumtë që kanë mbetur rrugëve pa punë, të varfëruar, pa siguri dhe pa shpresë . Kjo është opozita, s’ka tjetër!
Përgatiti: AlpeNews.al