Vetëm pak ditë pasi Partia Demokratike propozoi dënimin me tre vite burg për ata që mbajnë simbole të komunizmit, në Varrezat e Dëshmorëve janë shfaqur disa të moshuar komunistë që mbanin në duar pikërisht këto simbole.
“Rroftë Partia Komuniste Shqiptare” dhe “Lavdi veprës së Enver Hoxhës”, shkruhej në disa prej parullave që mbanin në dorë komunistët me rastin e 29 Nëntorit, ditës së çlirimit të Shqipërisë nga nazifashistët.
Autoritetet janë kujdesur që këto parulla mos të shfaqeshin gjatë kohës kur presidenti, kryeministri dhe ministrat kryen homazhe në monumentin ‘Nënë Shqipëri’.
Ata nuk u lejuan as gjatë ceremonisë ku mori pjesë LSI.
Ndërkohë një partizan në kohën e luftës me fashistët italianë e nazistët gjermanë, shprehet se ka vrarë me dorën e tij 300 gjermanë, mes tyre edhe Hamit Matjanin.
“…Për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut tonë kundra okupatorëve fashistë italianë dhe nazistëve gjermanë, e të tjerëve që deshën të hanin me një kafshatë Shqipërinë, por nuk e gjetën atë, gjetën vetëm plumbin…se kam vrarë 300 gjermanë unë, kam vrarë Hamit Matjanin me dorën time”, thotë veterani.


