Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur sot që të procedojë me votimin për emërimin e ekipit negociator, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm.
“Seanca e jashtëzakonshme do të vazhdojë të mërkurën në orën 14:00”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Edhe pas një pauze të shpallur për 15 minuta, por që zgjati rreth nëntë orë, Kuvendi nuk procedoi me votimin. Debatet, pa praninë e opozitës në këtë seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Qeveria e Kosovës kanë zgjatur vetëm një orë.
Në bazë të propozimit të Qeverisë, në krye të ekipit do të jetë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Kurse anëtarë të këtij ekipi janë edhe Behgjet Pacolli, Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Dardan Gashi dhe Mahir Yagcilar. Po ashtu, edhe partitë opozitare janë ftuar që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këtë ekip.
Emërimi i këtij ekipi kërkon 61 vota të deputetëve.
Opozita, ndërkaq, ka bojkotuar këtë seancë dhe ka thirrur një seancë tjetër të jashtëzakonshme përmes së cilës po kërkon miratimin e një rezolute kundër bisedimeve për ndryshimin e kufijve të Kosovës, sipas idesë së propozuar nga presidenti, Hashim Thaçi.


