Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me të cilin ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave, perspektivën evropiane të Kosovës dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, në këtë bisedë Thaçi nuk e ka përmendur idenë e tij për shkëmbimin e territoreve, shkruan Express.
Presidenti Thaçi ka theksuar se lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës duhet të vijë shpejtë dhe t’i jepet fund izolimit të Kosovës. Dy presidentët kanë biseduar edhe për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Por, për dallim prej ditëve të tjera, i pari i vendit nuk e ka përmendur idenë e tij për shkëmbim territoresh, apo siç po e quan ai “korrigjim të kufijve”.
Kështu thuhet në njoftimin drejtuar mediave nga Zyra e Presidentit.
Në këtë njoftim thuhet se Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka shprehur mbështetje të plotë për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve, si kusht për sigurimin e paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe për hapjen e perspektivës për anëtarësim në BE.


