Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një takim me kryetarët e bashkive dhe prefektët për turizmin se në aspektin e pastërtisë duhet punuar dhe të nxirren mësime nga ky sezon turistik.
Kryeministri u shpreh se kryetarët e bashkive, sidomos ata të zonave bregdetare ku fluksi i turistëve gjatë verës është më i madh duhet të gjejnë zgjidhje për pastrimin e qyteteve.
“Është vërtetë e patolerueshme që për gjëra të vogla të bëhemi gazi i botës. Në aspektin e pastërtisë ne do të punojmë me mësimet e nxjerra nga ky sezon, por do të dëshiroja që kryetarët e bashkive, sidomos në zonat bregdetare, ku ka shumë turistë dhe është e pamundur të përballohet gjithë ai fluks vetëm me buxhetin e bashkive që të gjejnë zgjidhje të tjera që të mos kemi mbeturina rrugëve gjatë sezonit turistik”, tha Rama.
Ndërkohë, shtoi ai, “që kemi një problem të trashëguar me vetë njerëzit që i hedhin plehrat në rrugë kudo ku t’i dali. Por ne jemi të detyruar që ta zgjidhim këtë problem”.


