Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, theksoi sot se turizmi ka potencial për gjenerimin e vendeve të reja të punës.
Në aktivitetin e zhvilluar sot në Gjirin e Lalzit në Durrës ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, zv.ministrja Sorensen tha se “për çdo 146 turistë që hyjnë në Shqipëri krijohet një vend pune. Fakti, sikurse përmendi edhe ministri Klosi, që rritet shumë numri i turistëve në Shqipëri, përkthehet edhe në një rritje të numri të punësuarve në këtë sektor”.
Duke folur për projektin “Smile Albania”, zv/ministrja Sorensen u shpreh se “një pjesë shumë e vogël e këtyre 500 të rinjve që kanë qenë pjesë e “Smile Albania”, janë të rinj e të reja që studiojnë në shkollat e arsimit dhe formimit profesional në degën hoteleri- turizëm. Është një grup relativisht i vogël, por që nënvizon tre mesazhe shumë të rëndësishme; që të rinjtë duhet të angazhohen në programe të tilla qofshin programe vullnetare, praktika profesionale në biznese për të marrë atë eksperiencën e parë, takimin e parë me botën e biznesit dhe të punës”.
Zv/ministrja tha se “për të gjithë sipërmarrësit kjo jep një mesazh shumë të rëndësishëm , që ata duhet t’i hapin dyert e tyre për t’i pasur këta të rinj e të reja për të bërë praktikat e tyre profesionale në këto biznese dhe që do të jenë punonjësit e ardhshëm që do t’i shërbejnë industrisë së turizmit dhe industrive të reja”.
Ajo falënderoi GIZ-in për mbështetjen që ka dhënë përmes trajnimeve për rreth 300 të rinj për ekoturizmin, guidat turistike etj.


