Fakti se Angela Merkel e Donald Trump kanë biseduar për Kosovën dhe kanë dhënë mbështetje bisedimeve që çojnë deri te zgjidhja e çështjes, përbën një ndryshim.
Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, për mediet serbe, duke shtuar se kjo është një dëshmi që tregon se gjërat kanë ndryshuar në të mirë të Serbisë.
“Ndryshimi i madhe është fakti se gjërat kanë ndryshuar, ndonëse ende kemi përpara beteja të vështira dhe nga ta që duhet ende të përpiqemi të ndikojmë mbetet Gjermania”, deklaroi Daçiq.
Ai përmendi deklaratën e kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pati deklaruar se kundërshton kufijtë etnik, por që nuk është naiv, sepse di që Serbisë i përshtatet që të mos ngutet në njohjen e pashmangshme të Kosovës, transmeton RTKLive.
“Prishtina ka humbur mbështetjen, nuk ka më qëndrim që do të dëshmonte se çdo gjë është e përfunduar. Ata nuk e kuptojnë këtë, prandaj ata e përjetojnë si tejet tragjike deklaratat e vendeve të ndryshme nga bota për tërheqjen e njohjeve të shtetësisë së Kosovës”, deklaroi Daçiq.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen opinionit publik në Serbi, ishte deklarata e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq, sipas të cilit “mbështet idenë e Banditerit për respektimin e kufirit, që sipas Daçiqit, kjo ishte një deklaratë hipokrite.
“Kur bëhet fjalë për Komisionin e Banditerit, aty flitet për kufij ndërkombëtar, askund nuk përmenden kufijtë e krahinave, kështu që të gjithë ata që kanë njohur Kosovën kanë kundërshtuar këtë parim të Banditerit. Kështu në këtë mes gjendet edhe Kroacia dhe është hipokrizi që të thirret në atë komision”, deklaroi Daçiq.


