Ka mjaftuar një ankesë në shqipëriaqëduam.al e vajzës së një çifti të moshuarish, që brenda një jave të merreshin masat ndëshkimore ndaj mjekut të familjes që nuk u kishte ofruar atyre shërbimin shëndetësor.
Në takimin e përjavshëm me Kryeministrin Rama, qytetarja nga Elbasani, Iliada Kuqi, tregoi se si iu drejtua platformës pasi mjeku i familjes në qendrën shëndetësore nuk gjendej në vendin e punës, ku prindërit e saj duhet të merrnin shërbimin.
Pas verifikimeve, u morrën masat ndëshkimore ndaj mjekut në fjalë dhe tashmë në qendrën shëndetësore, siç qytetarja pohon, ka ndryshuar plotësisht, ku prindërit e saj dhe qytetarë të tjerë të Elbasanit marrin shërbim të shpejtë dhe cilësor.
“Unë kam bërë ankesën për prindërit e moshuar që e kishin të pamundur të kërkonin të drejtën e tyre. Brenda javës kam marrë një pergjigje dhe situata ka ndryshuar në qendrën shëndetësore”, tha qytetarja.


