Të apasionuarit pas futbollit dhe sporteve të tjera, profesionistë apo amatorë, do të gjejnë në Barbas të Petrelës një hapësirë moderne sportive, për të luajtur apo stërvitje. Dje pasdite u përurua çelja e kompleksit sportiv “Football Republic”, me tre fusha të mëdha futbolli dhe kapacitet për 1000 persona.
I pranishëm në përurim ishte dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili tha se marrja me sport e të rinjve do t’i bëjnë ata të largohen nga llotot.
“E filluam pak nga pak me 62 palestrat e hapura në shkolla, për futboll, basketboll, volejboll, handboll etj. A do dalin të dalin të gjithë futbollistë dhe sportistë elitarë? Ndoshta jo, ndoshta po, ndoshta një në njëqind, ndoshta një në një mijë, por kjo nuk ka rëndësi. Një qytet ku të rinjtë merren me sport, që largohen nga pikat e basteve, nga lotot, kazinotë, është një qytet më i mirë. Kjo është hera e parë në 28 vitet e fundit, kur janë mbyllur më shumë pika bastesh dhe janë hapur më shumë terrene sportive”, tha Veliaj.
Ai theksoi se marrja me sport apo pjesëmarrja në një garë sportive, mund të mos të të bëjë sportist, por së pari të jep mundësi të krijosh karakterin e një njeriu që di të pranojë humbjen dhe të administrojë fitoren.
“Duam të forcojmë jo vetëm aftësinë për të luajtur, por edhe për të ndërtuar karakter tek fëmijët tanë, për t’u thënë se gjërat bëhen më mirë në skuadër. Asnjë nuk bën dot gol i vetëm, nëse dikush tjetër nuk ia pason topin; asnjë nuk ngrihet dot i vetëm, nëse dikush nuk i jep dorën. Jam shpresëplotë se në këtë fushë nuk do të trajnojmë vetëm futbollistë, por qytetarët e ardhshëm dinjitozë të qytetit të Tiranës”, tha Veliaj.
Veliaj siguroi banorët e zonës se shumë shpejt do të nisë edhe rruga që do të lidhë autostradën Tiranë-Elbasan, pikërisht me fshatrat dhe zonën ku është ngritur akademia.


