Zjarri i rënë në pyllin e Semanit, dy ditë më parë, është shuar plotësisht.
Lajmin e bëri të ditur për ATSH-në, prefekti i Fierit, Baki Bala, i cili tha se “zjarri u shua mbrëmjen e djeshme dhe gjatë natës u caktuan patrulla që kanë mbajtur në monitorim të gjithë periferinë e pyllit, me qëllim që nëse kishte ndonjë problematikë të njoftonin forcat zjarrfikëse”. Sipas tij, zjarri i rënë në pyllin e Semanit nuk shkaktoi dëme në kurorën e pishave, por vetëm në rreth 6 ha sipërfaqe me shkurre.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit morën pjesë 110 forca, 4 zjarrfikëse, dy autobotë, 60 forca ushtarake, dy automjete skrep për hapjen e rrugëve në zonat në pyll, si dhe forca të tjera nga bashkia, nga institucionet qendrore, zjarrfikëset, policia e rendit, vendore etj. Pylli i Semanit u përfshi dy ditë më parë nga zjarri, ndërsa menjëherë në vendngjarje shkuan forcat zjarrfikëse, si dhe një helikopter “Cougar” i Forcave Ajrore.


