Kur një lojtar që ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Ligue 1 dhe ka përfaqësuar 24 herë kombëtaren e vet, në rastin konkret atë të Gabonit, bën epilogun e karrierës, mund të pritet një histori me suksese dhe dështime e maksimumi ndonjë anekdotë e veçantë.
Por ajo që ka rrëfyer Shiva N’Zigou, ish-sulmuesi i Nantes dhe Reims, i kalon kufijtë e imagjinatës.
Një televizion i krishterë, “TV2Vie”, ka përcjellë për publikun një video të çuditshme prej pesë minutash, të regjistruar në një kishë evangjeliste në Gabon.
Histori e mbushur me gjak, seks dhe magji të zezë, që ka shokuar gjithë botën e sportit.
“Mamaja ime ka vdekur dhe dua të rrëfej që është flijuar.
Kam firmosur shumë kontrata dhe babai im i donte të gjitha paratë për vete.
Më pati thënë se përndryshe do të vriste mamanë time.
Unë i thashë të mos e bënte, por ai vazhdoi më të tijën dhe e vrau.
Dhe e bëri në një mënyrë që shpirti i saj të më ndihmonte në karrierën time futbollistike”.
Një rrëfim i tmerrshëm, por jo i vetmi.
Duke folur për familjen e tij, N’Zigou shton:
“Kur isha shumë i ri kam kryer marrëdhënie seksuale me tezen time dy herë, më pas edhe me motrën time dhe me një mik, ndërsa kam pasur edhe një lidhje me një burrë tjetër”.
Një histori surreale që e bën pjesën tjetër të rrëfimit diçka krejt normale.
Sepse në fund, lojtari pranon edhe se ka gënjyer për moshën kur ka mbërritur në Francë, duke pretenduar se ishte 16, kur në fakt ishte 21.
Por edhe pse me këtë mashtrim ai ka hyrë në histori si lojtari më i ri që merrte pjesë në Kupën e Kombeve të Afrikës dhe që shënonte gol në këtë kompeticion, kjo është pjesa më OK e gjithë rrëfimit të tij, krahasuar me atë që i ka ndodhur në jetë…