Prokurori i dorëhequr i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, akuzoi kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vë në pah se është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Javën e kaluar, prokuroria e Shtetit tha se prokurori Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje, por pa dhënë hollësi rreth arsyeve të saj. Por, mediat e Kosovës njoftuan se dorëheqja lidhet me kërcënimet që i janë barë gjatë kryerjes së detyrës, posaçërisht me rastet e hetuara për terrorizëm dhe listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të hënën në një shkrim në rrjetin social Facebook, zoti Blakaj tha se dorëheqja e tij është “protestë dhe mesazh” për shkak të politizimit të prokurorisë së shtetit.
Më poshtë po e sjellim të plotë shkrimin e zotit Blakaj ashtu siç është postuar në profilin e tij në facebook:


